PROFESIONAL

Kriza jonë është sa ekonomike aq edhe morale - Simfonia e Jetës - mars 2014

 

Në fundin e gushtit të disa viteve më parë, shoqërova vajzën time, Rean, në udhëtimin e saj të regjistrimit në një universitet jashtë vendit. Do të ishte edhe hera e parë kur do të ndaheshim fizikisht pas një jete që çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje na kishte gjetur bashkë.

Mbrëmja e ditës kur vajza hyri bashkë me të tjerët në konvikt, ndërsa unë qëndrova në një dhomë të vogël në hotel, ka qenë mbase më e vështira që kam kaluar. U gdhiva zgjuar prej kthetrave të një pasigurie që më merrte frymën. Më dukej sikur nuk kisha bërë mjaftueshëm për atë ditë, kur ime bijë do të ikte nga duart e mia; sikur nuk i’a kisha dhënë të gjitha këshillat; sikur nuk isha treguar kujdes për t’u siguruar se porositë e mia kishin zënë vend; sikur e kisha lënë befas të pambrojtur, fillikat, vetëm në  rrugët e botës…

Orët e natës kaluan mbi rreshta që i shkruaja, i fshija, i rishkruaja prapë, mbi një letër meraqesh të nënës, meraqesh të pëshpëritura në veshët e fëmijës qindra herë qyshse kishte lindur e deri në atë cast kur ishim ndarë, vetëm para pak orësh dhe Rea, më e gjatë se unë, më kishte përqafuar si të ishte ajo më e rritura mes të dyjave, duke më thënë, “Rri e qetë mam, do jesh krenare gjithnjë për mua!”.

Duke qenë shumë mirënjohëse për ftesën që më keni bërë, nuk gjeta mënyrë më të mirë për ta nisur këtë fjalë timen, se sa të ndaja me ju episodin e mbylljes së kapitullit të parë të jetës me time bijë, dhe hapjes së një kapitulli të ri, përgjatë të cilit jo vetëm kam fituar një shoqe të ngushtë, po dhe kam mundur të shoh përditë se sa fort e rëndësishme është që, ai kapitulli i parë të zhvillohet nën dritën e vlerave të marra prej neve vetë nga nënat tona, gjyshet e sotme të vajzave dhe të djemve tanë.

Drita e atyre vlerave e bën prehrin e nënës dhe të gjyshes, oborrin e parë dhe më të pastërtin për rritjen e mendjes e të zemrës së një fëmije; oborrin e zërave më të pazëvendësueshëm dhe të shijeve më të paharrueshme; oborrin ku mbillet e kultivohet me dashurinë më të thellë thuajse gjithçka korret më tutje, në rrugën e rritjes e të pavarësisë së fëmijëve tanë.

Por erdha sot këtu për të ndarë me ju edhe bindjen se ne, si vajza e gra, na takon që çka kemi marrë e dhënë në atë oborr ideal, ku merr trajtat e veta themelore edukata e njeriut, ta përçojmë kudo ku mundemi e ta mbrojmë si të mundemi, kurdoherë që e shohim të nevojitet apo të cënohet rretherrotull nesh.

Piktura e madhe e jetës sonë sot ka gjurmët e punës së admirueshme dhe historitë e suksesit të shumë mësueseve të përkushtuara, mjekeve të devotshme, sipërmarrësve kurajoze, artisteve të talentuara, eksperteve të ligjit, të ekonomisë, së shkencës, dhe pse jo, guximtareve të politikës, të cilat cdo ditë e kanë një betejë dhe sfidë më vete brenda betejës e sfidës së kategorisë së tyre, vetëm e vetëm sepse janë gra, vetëm sepse janë vajza.

Po në të njëjtën pikturë, nuk është aspak e vështirë të gjesh vrraga dështimesh të mëdha e njolla humbjesh aspak fatale, por rrjedhojë e zbehjes së vlerave dhe këputjes së lidhjeve mes oborrit ideal, prehërit të nënës e të gjyshes, dhe mjedisit të një realiteti ku shpesh e më shpesh harrohet se asnjë mirëqenie e qëndrueshme materiale nuk mund të krijohet në shoqëri, duke i braktisur ato vlera dhe lidhje të brendshme.

Dhe nuk besoj se mund të lexohen ndryshe përveçse si pasoja të kësaj braktisjeje në turravrapin për përfitime të shpejta, që padyshim shumë shpejt e thellon hendekun përditë e më të madh mes pakicës e shumicës, të gjitha shprehjet e shpeshtuara të dhunës fizike apo verbale në harkun e këtyre viteve; shprehje të përsëritura kaq rëndom sa tani lajmet e kronikës së zezë nuk bëjnë prej vitesh dallim nga filmat aksion të konsumit të përditshëm.

Lejomëni të citoj Madeleine Albright kur thotë: “Edhe kur ligjet në letër janë të drejta, realiteti në shtëpi apo në disa komunitete mund të mos jetë i tillë. Ka dhunë në familje, vrasje, divorce apo martesa të detyruara… Disa këto i quajnë kulturore, por unë mendoj se janë kriminale dhe secila e secili prej nesh është e detyruar, i detyruar të kontribuojë në dhënien fund të këtyre situatave.”

Ka shumë shqetësim sot dhe shumë debat për krizën ekonomike, krizën financiare dhe në tërësi një krizë sistemike e cila rrezikon çdo ditë familjet shqiptare. Të kuptohemi, ky nuk është një shqetësim vetëm në Shqipëri, por thuajse në të gjitha vendet e kontinentit tonë dhe përtej tij. Kaq e vërtetë është kjo sa duket sikur sheh lajmet dhe debatet e trazuara të të njejtit vend, kur kalon me pultin e televizionit nga një shtet fqinj tek tjetri, apo nga një vend i Bashkimit Europian në tjetrin. Në brendinë e këtij shqetësimi duket sikur vlon një e vërtetë e pathënë dot deri në fund, por që lidhet me vlerat, me një moment të historisë sonë kur duket sikur e gjithë bota po bëhet më afërt sesa një ekran telefoni, ndërkohë që njëkohësisht po lëviz vrullshëm në një drejtim të paditur për individin. Sidomos për prindin. Dhe me siguri shumë posaçërisht për nënën – pa llogaritur këtu gjyshet e shkreta që e ndjekin urtësisht të lebetitura gjithë këtë transformim hutues.

Nuk mund t’i lejoj vetes asnjë nxitim për të thënë gjëra që janë jashtë mundësive të mia, aq më pak pastaj për të nxjerrë konkluzione mbi një temë kaq të komplikuar që ka përfshirë shoqërinë, institucionet, politikën në këtë fazë të historisë sonë si banorë të kësaj bote, por pikërisht si grua e si nënë, nuk besoj se e teproj po të them se kriza jonë, qoftë edhe ajo që është këtu në Shqipëri, është sa ekonomike aq edhe morale, sa një krizë financash aq edhe një krizë vlerash, sa një krizë e institucioneve aq edhe një krizë e shoqërisë.

Sepse unë besoj që nuk ka rritje të qëndrueshme ekonomike, nëse liria nuk ka moral të vetin konkurencën, meritën dhe solidaritetin; nuk ka financa më të forta nëse kush duhet të paguajë nuk paguan, ndërsa kush paguan duhet të paguajë edhe për atë që nuk paguan; nuk ka institucione më të dobishme nëse shoqëria nuk e refuzon gjuhën dhe sjelljen paralizuese të urrejtjes në radhë të parë tek konsumatorët e debatit dhe ndërveprimit publik.

Sot dhe prej shumë vitesh cdokush, pavarësisht moshës, gjinisë, dijes apo padijes, pavarësisht çdo përkatësie a simpatie politike, i vuan pasojat e gjuhës dhe të sjelljes së urrejtjes së konsumatorëve të debatit publik, ndeshet dhe mbushet me energji negative që po deformojnë deri në tjetërsim kulturën e bashkëjetesës midis nesh, shkurajohet deri në humbjen e shpresës dhe i adaptohet një kulture cinizmi që hedh poshtë çdo qëllim të mirë, në një mjedis që triumfon indiferentizmi e qesëndisja ndaj gjithçkaje e gjithkujt.

Eshtë shumë larg meje çdo tundim për t’u dorëzuar përpara të keqes apo qoftë edhe përpara përshkrimit të së keqes si një dominante e patjetërsueshme e realitetit tonë të sotëm, ku nëpërkëmben rëndom vlerat e atij oborrit ideal me të cilin unë e fillova fjalën time. E vërteta është se kur shoh pas nuk e kam të vështirë të gjej se sa shumë gjëra të mira kanë bërë njerëzit e zakonshëm, apo edhe ato të jashtëzakonshëm, në këtë vend. Ndërsa kur shoh përballë, kur ju shoh të gjithave juve, nuk e kam të vështirë të besoj se me pak më shumë vetëdije e përpjekje të përbashkët, gratë dhe vajzat e këtij vendi mund të bëjnë për këtë shoqëri atë që nganjëherë duket fatkeqësisht e pamundur; mund t’i japin oborrit të përbashkët të Shqipërisë atë pakëz nga drita e oborrit ideal të prehërit të nënës a të gjyshes, që lypset për të bërë hopin cilësor në shoqëri, ekonomi, institucione.

“Mos mallko errësirën po ndiz një qiri”, thoshte nënë Tereza. Padyshim një qiri nuk e mund gjithë errësirën, po na ndihmon të jemi të dobishëm duke mos e shtuar peshën e errësirës me mallkimet tona kundër saj. Dhe jo vetëm kaq, po na ndihmon të kuptojmë se ç’dritë mund të bëhet në oborrin e madh të Shqipërisë, nëse secili ndez qiririn e vet të vogël të vlerave e të mësimeve të marra në oborrin ideal të fëmijërisë së vet, në prehërin e nënës dhe e të gjyshes.

Kthehu në galeri
PUBLIK