PROFESIONAL

Jeni te dënuara të bëni diferencën - Aktivitet me Gra Gazetare - dhjetor 2015

 

Kisha tundim, po edhe pasiguri, për të shkruar disa fjalë që dëshiroja t’ju thoja. Tundim, sepse kam ndjesinë e fortë që, në këtë grup grash e vajzash, ka diçka të veçantë dhe doja të provoja ta arsyetoja këtë ndjesi. Jo vetëm kaq, po edhe ta ndaja me ju arsyetimin tim të sistemuar në letër, ndoshta për t’i dhënë pak më shumë rëndësi, jo vetes, po këtij momenti të takimit tonë tradicional. Kisha edhe pasiguri, ndoshta sepse mungesa e një tradite të fjalëve të shkruara në darka familjare ose miqësore si kjo e jona më bënte të mendoja që, gabimisht, mund t’ju dukesha e distancuar. Megjithatë, vendosa ta provoj dhe dua të ma thoni ju pastaj, nëse ishte një provë e dështuar apo një eksperiencë të cilën mund ta bëjmë traditë të darkës sonë të vitit që vjen, ku, natyrisht, të tjera këtu të bëjnë atë që po bëj unë sonte.

 Mikeshat e mia,

Pesë vite më parë, telefonova trembëdhjetë ndër ju për darkën e parë dhe sot, pas pesë vjetësh, mund të them me shaka, por jo pa gëzim, se jam shumë e lumtur që Juda nuk ishte mes të trembëdhjetave! Mesa duket, besnikëria është grua, jo burrë.

Ju ftova atëherë të mblidheshim së bashku në një darkë miqësore fundviti. Për mua vetë, ishte një mënyrë për t’ju njohur nga afër, duke ju vlerësuar të gjithave për kurajën speciale, që, sipas meje, kërkon nga një vajzë ose grua të jetuarit në një fushë kaq të vështirë, siç është kjo e medias. E kujtoj fare mirë se, edhe atëherë, pata pasiguri nëse duhet të ftoja dhe disa ndër ju, me të cilat nuk njiheshim së afërmi, ashtu siç e kujtoj po aq mirë kënaqësinë që ndjeva nga pranimi i menjëhershëm i ftesës, që, sidoqoftë nuk ma fashiti pasigurinë e njohjes së paktë në distancë, nga sipërfaqja e ekranit apo leximet e herahershme.

Nuk e di sesa ndikoi kurioziteti, sesa ndikoi politesa, sa ndikoi dëshira e mirëfilltë apo qoftë edhe sesa vendimtar ishte fakti që, mbase, thjesht, e kishit të lirë atë darkë, kur më thatë të gjitha pa përjashtim, “Po, do të jem!” Dua të më besoni sonte, se, duke numëruar pesë vjet me radhë ku asnjëra nuk ka munguar në këtë takim tanimë tradicional (edhe kur rrallë ka ndodhur, vetëm për arsye madhore), ndihem e privilegjuar për njohjen me ju, për çka kam mësuar prej jush dhe, mbi të gjitha, për miqësinë e butë që më keni dhuruar. 

Diku kam lexuar Kunderën të shkruajë: “Nëse gjithçka bëhet tematikë, atëherë konteksti zhduket dhe, si në një pikturë kubiste, nuk mbetet asgjë, veçse plani i parë". Mos qoftë që kjo sforco e imja për të lënë një gjurmë më shumë se zakonisht nga kjo darkë të jetë në përfundim si një pikturë kubiste (ndonëse kam bindjen se im shoq dhe shoku juaj, jo vetëm nuk do të ishte kundër, po mund të kishte bërë, në vendin tim, një pikturë kubiste të gjatë sa e gjithë darka). Nga ana tjetër, s’dua as që, në këtë sforco, unë të mbetem thjesht te përcjellja e valëve të patrazuara të miqësisë që ushqej për secilën prej jush, sepse, në sytë e mi, ju jeni shumë më shumë se mikeshat e mia të veçanta dhe puna juaj e vështirë më imponon jo vetëm një respekt të veçantë, por edhe detyrimin që t’ju shpreh përjetimin tim lidhur me të.

Mua më vret gjithnjë e më shumë rendja përherë e më tepër e medias drejt përplasjeve kaq shpesh të stisura e kaq përgjithësisht banale në skenën politike. Më vret si diçka që më dhunon syrin, veshët, por edhe inteligjencën; një lloj force e dobësisë njerëzore, që të merr peng dhe të shkëput nga konteksti dhe realiteti ku jeton. Kam ndjesinë gërryese që tanimë kjo është kthyer në një sëmundje, që i ngjan një loje, por që, në fakt, dëmton përditë rrugët tona të të menduarit dhe gjykuarit.

Ju mendoj, në fakt, hera-herës, herë njërën e herë tjetrën, kur shfletoj menunë mediatike të ditës. Dominanca e agresivitetit, humbja e sensit të etikës, shterpësia deri në kotësi e debateve (nuk e di a e meritojnë gjithsesi të quhen të tilla), jo thjesht mes politikanëve, po tanimë mes të gjithëve në rrjetet sociale dhe gazetat online, më bëjnë të them: “Mjaft, stop, nesër jo më!” Por vjen e nesërmja dhe, përsëri, e gjej veten me menunë në dorë, gjithnjë edhe më e trembur se mos, ndoshta, bëhem edhe unë pjesë e së tërës në mënyrën si i shoh gjërat, si i lexoj mendimet e të tjerëve dhe si i gjykoj të tjerët. Falë Zotit, të paktën s’e kam ndjerë asnjëherë, asnjë çast tundimin të hap faqen time të Facebook-ut apo të komentoj në faqet e në blogjet e hapura nga të tjerët. Sidoqoftë, e di që kjo nuk ndryshon asgjë. Është një higjienë krejt personale, për të cilën nuk synoj zilinë e askujt.   

Kam filluar të besoj se i gjithë humori i ditës së njerëzve në kafenenë e vogël te rruga e punës sime, ku pi prej 15 vitesh me të njëjtët miq kafenë time të mëngjesit, do të përcaktohet nga fakti si janë gdhirë ata që sot janë të kudondodhur nëpër studio, blogje, gazeta. Edhe kur nuk janë aty, mjafton të teshtijnë në profilin e tyre dhe, fap, shfaqen kudo ku është e mundur të na shfaqet lajmi që duan të na japin apo mendimi dhe përjetimi që duan të na tregojnë, jo vetëm në televizor, por edhe në tavolinë, në çantë, në xhep, përmes telefonit që lajmëron se dikush erdhi pa pyetur drejt e në jetën tënde. Ma thoni ju nëse e mendojnë gjatë apo shkurt efektin që fjala ka në mendjet apo botën emocionale të atyre që e dëgjojnë. Përshtypja ime është se e vetmja gjë që me siguri mendojnë është që fjala e lëshuar të bëjë sa më shumë efekt negativ te ne, në raport me dikë apo me disa të tjerë.

Modestisht dhe pa kërkuar t’ju them ndonjë gjë të re, mendoj se të keqpërdorësh pushtetin që jep liria e fjalës dhe e mendimit, të përcjellësh lajmin pa ndjekur fillin e së vërtetës, të kërkosh të bësh opinion të qëllimshëm në shërbim të çdo lloj agjende, përveçse asaj të dobisë shpirtërore e mendore për të tjerët në raport me tjetrin, vendin, kombin, botën vetë, quhet abuzim. Ne kemi natyrshëm një ndjeshmëri të veçantë ndaj asaj që në shqipe quhet ngacmim seksual, po na mungon si fjalë (ose, të paktën, unë nuk e di), kur ndihemi “harassed”, të ngacmuar në intimitetin apo inteligjencën tonë nga abuzivizmi i dikujt. Më falni, po mua më duket se kjo shoqëri është “harassed” përditë, nga të katra anët!

Është kthyer pothuaj në një kulturë shoqërore, kudo ku flitet shqip, të parit errët të gjithçkaje që ndodh dhe të gjykuarit me agresivitet ekstrem të gjithçkaje që shihet. Nuk flas për politikën këtu se fatkeqësisht ka kohë që është kështu, por sot ngacmimi abuziv ka prekur çdo mjedis, çdo shtresë, çdo pjesë. Madje, ka filluar të ketë tanimë edhe profesorë me tituj, të cilët shkruajnë në publik me fjalor ekstremisht banal dhe të padenjë; universitarë, studentë e pedagogë, që dhunën verbale dhe shpërdorimin etik në komunikim me publikun i përdorin si armë thuajse ekskluzive për t’u imponuar; dekanë, rektorë e kolegë të tyre që i marrin në mbrojtje, duke i imituar e duke qenë plotësisht të shkujdesur ndaj faktit që misioni i parë dhe më sublim i çdo mësonjësi është të garantojë shoqërinë për vlerat dhe modelin që transmeton.

Si vajza, gra e shumë nëna këtu besoj dakordësohemi që disa vlera, duke filluar nga etika në komunikimin e ndërsjellë dhe pastaj me publikun, duhet të jenë të panegociueshme kudo. Po në një mjedis të brishtë dhe pa traditë demokracie si ky i yni, unë besoj se këto vlera, nëse mbrohen e promovohen, kanë më tepër forcë se ngacmimet abuzive.

Po ashtu, unë nuk mendoj se ka arsye për hezitim nga çdo protagonist publik për t’u pozicionuar, jo vetëm kur është fjala për të akuzuar me të drejtë, po edhe kur është fjala për të edukuar njerëzit me sensin e së drejtës.

Për shembull, ka plot arsye për ta kritikuar këtë qeveri. Harrojeni këtu se kush është Edi për mua në shtëpi, po flas me ju dhe s’jam as në shtëpi me Edin, as në punë me ju para kamerave ose mikrofonave. Po si mundet që një aksioni me dobi të qartë për publikun, siç është, fjala vjen, detyrimi për të paguar energjinë, t’i jenë gjendur deri tani të gjithë bishtat e mundshme dhe asnjë protagonist publik jopolitik të mos e ketë artikuluar qartë atë që e kam dëgjuar vetë të artikuluar qartë nga njerëzit e thjeshtë(?): “S’ka alibi për të mos paguar energjinë!” Jo, askush nuk e thotë, përkundrazi, vetëm bishta që stimulojnë energjitë negative të njerëzve.

Mund të përmend një nga një edhe shembuj të tjerë, po ju i dini më mirë se unë dhe s’dua t’ju lodh. Për mua, çdo përpjekje për ardhmërinë e një vendi si ky i yni, që krijon themelet e një raporti normal me shtetin dhe e bëjnë normal vetë shtetin, duhen mbështetur, jo sepse i bën ky apo ai, po sepse duhen. Vetëm kështu do të legjitimohej më tej edhe çdo shqetësim nga zbatimi i tyre, edhe çdo kritikë në këtë kontekst për ecurinë e tyre. Përndryshe gjithçka dhe kushdo mbetet i paragjykuar, çka prodhon vetëm negativitet dhe, mbi të gjitha, rrit stresin social në çdo nivel.

Secila prej jush këtu ka një rol publik, fillin e të cilit unë e ndjek me sa mundem dhe me vëmendjen e posaçme si për dikë që e kam në zemër. Kurdoherë shoh lajmet, mësoj të rejat, ndjek opinionet apo pushoj në efektin e formateve argëtuese dhe kulturore, ju mbështes nga larg shpirtërisht dhe përpiqem të kuptoj, me aq sa lejon distanca, vështirësitë që kapërceni. Jo për konformizëm, po për hir të një së vërtete të madhe, më duhet t’ju them se, siç thotë populli, ju mikeshat e mia “hani sidoqoftë bukë veç”. Më vjen çdo herë mirë kur shoh përpjekjet këmbëngulëse që bëni ju për të dhënë më të mirën, pa lejuar që profilin dhe pasionin profesional t'ua marrë lumi i turbullt i aktualitetit të veshur si s’ka më keq me petkun e medias.

“Biblioteka”, “Shqip” apo “Dritarja”, “Studio e hapur”, mëngjeset dhe pasditet, periferia, Tonight dhe Insight, përtej vëllait të madh dhe lajmeve bombë apo jo, edhe recetat për njerëzit që dua apo një ditë si Sofia, Maria, X-i dhe Class-i, te Madame, Living apo në blogun e një vajze single ose aty rrotull e të tjera kontakte me gjithsecilën prej jush, në ekran apo letër, janë për mua kurajë për të mos u humbur në turbullirën e errët të së përgjithshmes, për të mos ngacmuar abuzivisht të tjerët, për të mos u konformuar me guximin fals të agresivitetit mashkullor, që rëndom shitet e lexohet si pavarësi profesionale, por që, të me falni, profesionale s’ka thuajse asgjë.

Duke provuar dhe zbuluar hapësira të reja dhe mundësi për t’u ofruar njerëzve jo vetëm ushqimin e rëndë të politikës së ditës, por edhe një marrëdhënie të qetë në komunikim, ju bëni diferencën. Konstatoj që, edhe kur ju kritikoni fort, nuk e bëni këtë dhunshëm. Më krijoni përshtypjen se përgatiteni përpara se të hyni në studio, kujdeseni për mënyrën si flisni, dëgjoni përpara se të kundërshtoni, mbi të gjitha,  shqetësoheni për agjendën e publikut. Ndonëse, personalisht, problemet e ditës mund t’i keni me shumicë dhe pavarësisht se askush, as unë vetë mbase, nuk i shpëton dot kontaminimit nga mjedisi i ngacmimeve abuzive, ju nuk jeni aktore të telenovelave me dhunë verbale, që i ofrohen publikut si debate demokratike.

Jo vetëm ndjeshmëria juaj femërore, po padyshim vetëdija juaj për limitet etike, ju bën sot pjesën më të moderuar të medias dhe, për mua, më dinjitozen e saj. Për të kuptuar se nuk po bëj këtu asnjë kompliment të pamerituar, thjesht imagjinoni skenarin se si mund të ishte media sot, sikur asnjëra nga ju apo kolege tuajat të mos ishit më në ekran ose në faqet e tjera të komunikimit publik. 

“Mos u trembni nga përsosmëria, sepse kurrë s’do ta arrini dot atë”, thoshte një njeri i mençur. Dua të them me këtë se padyshim asnjëra prej nesh, asnjëra prej jush, nuk është e përsosur në atë që bën. Edhe ju keni ditët tuaja të këqija, orët tuaja jofatlume, momentet tuaja të humbura në ushtrimin e profesionit, por ju asnjëherë nuk gaboni me qëllim për të bërë dëm. Asnjëherë nuk gaboni për t’i rënë në qafë kujt. Asnjëherë nuk e humbni momentin në sytë e publikut, sepse doni të manipuloni publikun.

Engjëjt nuk jetojnë në tokë dhe, nëse ndonjërës nga ju mund t’i duket shumë e zbukuruar pamja që kam për ju, me siguri kjo është thjesht dhe vetëm paaftësia ime për ta konkretizuar besnikërisht perceptimin tim, po jo qëllimi im. Qëllimi im, nëse nuk arrita ta nxjerr dot nga e gjithë kjo fjalë, është, e thënë troç, t’ju lutem të kuptoni peshën e rëndë të rolit tuaj, i cili shkon përtej suksesit të ditës, në një mjedis ku jeni të dënuara të bëni përditë e më shumë diferencën.

Me shpresën se ia vlejti durimi juaj për të më dëgjuar deri në fund, jam e gëzuar që kam privilegjin t’ju uroj nga kaq afër të jeni të gjitha sa më shpesh të gëzuara, për vete dhe, mbi të gjitha, për njerëzit tuaj të zemrës.

Faleminderit!

Kthehu në galeri
PUBLIK