Dritëhijet e një shoqërie: jetëshkrimi i gruas shqiptare - Aktivitet me rastin e 8 marsit - mars 2017
Një vit më parë, Eni Vasili, më kërkoi të bëja një shënim në kopertinën e librit të saj mbresëlënës, “Unë kam vrarë: 10 portrete grash të burgosura për vrasje”.
Pikërisht ato ditë, me një grup ekspertësh, po i jepnim dorën e fundit një studimi mbi pjesëmarrjen e gruas në role vendimmarrëse në politikë, në administratën publike dhe kompani private në Shqipëri. Analiza na kishte sjellë në përfundimin e qartë se, megjithëse gratë e vajzat performojnë më mirë se burrat e djemtë në rrugën e arsimimit, ato ende nuk janë në kushte të barabarta, as për sa i përket aksesit në arsim dhe as nga vlerësimi i nivelit arsimor e i aftësive të tyre profesionale.
Por, unë bie dakord me këdo që thotë se, ato ia kanë dalë të jenë një prani e admirueshme si mësuese, si mjeke, doktore shkencash, profesore; janë sot një e katërta e parlamentit; janë më shumë se një e treta në qeveri; konkurrojnë rëndom në pozicionet e larta në administratë; janë në një prezencë të kënaqshme në linjën e parë të menaxhimit të kompanive të mëdha private, janë sipërmarrëse të suksesshme.
Sidoqoftë, kjo anë e medaljes, me cilësinë e zhvillimit të pamohueshëm në këtë drejtim, mund të na çojë në përfundime të gabuara, nëse e shohim të ndarë nga ana tjetër, atë të diskriminimit ndaj vajzave e grave, qysh në vitet e fëmijërisë e në vazhdim.
Dhjetë portretet e Enit, libër të cilin ua sugjeroj dashamirësisht atyre që nuk kanë patur rastin ta kenë në dorë, janë një udhërrëfyes i vyer, për të kuptuar si duhet anën tjetër të medaljes; një anë e zymtë, e rëndë, e pamundur të relativizohet në përmbajtjen e saj shumë shqetësuese prej të gjithë rezultateve të mirëqena të këtyre viteve në drejtim të barazisë gjinore.
Krimet ekstreme të atyre 10 grave e vajzave janë një pasqyrë brutale e jetës së përditshme që zhvillohet larg mureve të institucioneve dhe kompanive, në një Shqipëri diskriminuese ndaj bashkëqytetareve tona, për të cilën dëgjojmë vetëm kur kryhet një krim i rëndë, po ku sjellja e vrazhdë, si prelud i dhunës ndaj tyre, është normë, mënyrë jetese. Kjo është një Shqipëri tjetër, një botë e mënjanuar pas një perdeje sedre arkaike e turpi bashkëkohor, ku nuk penetron syri i medias e prej ku asgjë nuk del në botën e klikimeve e të pëlqimeve, e cila përthith fuqishëm vëmendjen dhe diktatin e çastit, duke e kthyer në një diktaturë të sipërfaqësores.
I jam trembur qysh në fillim kësaj diktature dhe jam përpjekur t'i rezistoj duke mos krijuar një profil timin në Facebook, Instagram apo Twitter, por jam shumë e vetëdijshme se nuk i shpëtoj dot shfaqjes së saj përpara dhe rreth meje si një prani e pashmangshme; diktatit të saj konsumues përmes subjektesh e objektesh të imponuara në biseda të cilat i ngjajnë gjithnjë e më shumë një dorëzimi përpara sipërfaqësores dhe kalimtares, që i bën marrëdhëniet mes njerëzve t'u ngjasojnë përherë e më tepër klikimeve se sa komunikimeve.
Shumëkush thotë se interneti ka rritur ndjeshëm kapacitetin tonë për të komunikuar. Ndjesë, por shumë modestisht mendoj se, po, me siguri ka rritur mundësinë tonë për t'u ekspozuar e për të ekspozuar opinione gjithnjë e më të përmbledhura, por besoj se e ka ulur kapacitetin tonë për të komunikuar, dëgjuar, dyshuar në të vërtetat tona. Dhe nuk është aspak rastësi që 10 portretet e Enit dhe mijëra e dhjetëra mijëra portrete grash e vajzash që jetojnë jashtë mureve të ekspozitës së madhe virtuale të klikimeve dhe pëlqimeve janë sot edhe më të ndara, dhe më të izoluara prej realitetit tonë, ku progresi i madh në këtë drejtim është një pengesë më vete në rrezen tonë të vështrimit.
Në një kohë si kjo, më duket se është i kërcënuar edhe vetë konsensusi i arritur në pjesën e zhvilluar të shoqërisë, mbi faktin se gruaja nuk është peng i fatalitetit dhe i skandalit, thelb i “bukurisë që vret”, siç fliste Migjeni, por paralajmëruese, pararendëse dhe garante e “së Padukshmes”, siç e cilësonte Shën Gjon Pali II; pra, e së Mirës, e Virtytit dhe e historive të vërteta të suksesit, ato për të cilat flitet më pak ose nuk flitet aspak.
Duket sikur ka një rrëshqitje të vazhdueshme në një terren paqëndrueshmërie përthithëse. Fizikja po përparon në dëm të shpirtërores, e sipërfaqshmja në dëm të thelbësores, pëlqyeshmëria imediate në dëm të thellësisë së pëlqimit. E çka e bën rrëqethës këtë përparim në sens të kundërt të progresit që kërkuam me vite e dekada të tëra është dasia, fragmentimi, copëzimi, në dëm të vizionit dhe sintezës mbi shoqërinë e barabartë qe duam.
“Pak rëndësi ka sa e papërfillshme mund të duket një grua. Nëse në fytyrë ka të shkruar vërtetësinë dhe luajalitetin, gjithçka do të tërhiqet rreth saj”, shkruante Eleanor Roosvelt; një kult i mrekullueshëm që sot zor se do të merrte klikime e pëlqime të dallueshme në klasifikimin e thënieve të ditës.
“Historia e qytetërimit, me uljet e ngritjet e saj, mund të lexohet si një produkt i ligjit të forcës, të interpretohet si shuma e ndjesive të frikës së gjithsecilit. Më duket pikërisht se është sfida e grave të kësaj epoke qytetërimi konsolidimi i demokracisë dhe qëndresa ndaj tundimit për t’i paguar haraç frikës”, thoshte zonja Roosvelt, aq shumë kohë më parë.
Po sot, kaq shumë kohë më vonë, kur jo pak çështje të shoqërisë e të vetë grave që dukeshin si të zgjidhura parimisht njëherë e përgjithmonë, çfarë duhet të mendojmë dhe si duhet të reagojmë ndaj haraçit të frikës prej rivënies në diskutim të tyre? Si duhet të reagojmë ndaj shfaqjes së përditshme të relativizimit brutal të normave etike, vlerave shoqërore, nocioneve të së vërtetës dhe gënjeshtrës? Si duhet të reagojmë ndaj eksodit masiv të fëmijëve tanë nga bota e leximeve në botën e klikimeve?
Nuk e di, por kam prirjen e fortë të besoj se, përsëri, njësoj si në kohën kur Eleanor Roosvelt e quante sfidë të grave konsolidimin e demokracisë dhe qëndresën ndaj tundimit për t'i paguar haraç frikës, përgjigjja për pikëpyetjet e kohës që jetojmë mund të vijë nga gratë, më shumë sesa nga burrat.
Dhjetë portretet e Eni Vasilit janë përgjigjja e dëshpërimit më ekstrem, që mund të na vlejë si një arsye shumë e fortë për t'u ndjerë të detyruara të gjejmë përgjigjen e kurajës, për të besuar në mundësinë e një bote më të mirë për fëmijët tanë; për të besuar në rëndësinë e komunikimit tradicional, ku dëgjimi ka po aq rëndësi sa kumtimi; për të besuar në forcën ndikuese të shembullit të mirë, duke e çmuar e komentuar me respekt, pa u tkurrur nga presioni mbytës i mjedisit zhvlerësues e përçmues ndaj suksesit të tjetrit.
Këto vite nën dritat e një skene që nuk e kam zgjedhur me dëshirë, po ku jam e detyruar të qëndroj për hir të një dashurie të madhe, kam parë që, shpesh, na qëllon edhe ne grave me profil publik ta gjejmë veten përballë një pasqyre ku imazhi jonë shkarravitet. Kjo më lëndon, padyshim, por, mbi të gjitha, më lëndon indiferenca e përgjithshme ndaj të vërtetës, të cilën ju, kush më shumë e kush më pak, e keni provuar në sensin e zbrazëtisë që të krijon brenda vetes, përballë një cenimi të padrejtë. Sepse të gjitha e të gjithë, për fat të keq, jemi gjithnjë e më të prirur të mos i marrim seriozisht cenimet që bëhen përditë, masivisht, në këtë mjedis ku shuplakat publike të akuzave, shpifjeve, fyerjeve janë bërë rutinë, njësoj si klikimet.
Por, në fund të ditës, një pyetje pa përgjigje mbetet: "Çfarë po u bën e do t'u bëjë fëmijëve tanë i gjithë ky transformim radikal në stomakun e shoqërisë?"
Sot në mëngjes, Zaho, me sinqeritetin e një bebeje, duke më parë bukur drejt në sy, më tha diçka që më befasoi, "mama Linda, ti je shumë e bukur". Kjo më ç'armatosi dhe më bëri të mendoj se fjala që kisha përgatitur për të thënë këtu para jush vlente të hidhej në kosh dhe unë të besoja që e nesërmja do të jetë si kjo ditë e bukur plot diell 8 marsi.