Shqipëritë - rrëfim dykohësh - Samiti Global i Gruas - qershor 2017
Miqve që vizitojnë për herë të parë Shqipërinë dëshiroj t’u them se gjendeni në një vend ku, siç thotë im shoq, nuk duhet ardhur asnjëherë, po ku, nëse vjen, asnjëherë nuk ndodh të mos duash të kthehesh.
Kujt prej jush nuk i ndodhi që ta gjente këtë vend krejt të ndryshëm nga çfarë e priste? I tillë është stereotipi i krijuar në vite për Shqipërinë: vend i errët, i varfër, i pasigurt. Në fakt, mësojeni se ky është një vend aq i sigurt, sa, megjithëse mund të lëvizni vetëm natën, edhe në periferitë më të largëta të qytetit, i vetmi moment kur mund t’ju ndodhë diçka e papëlqyeshme mund të jetë kur të merrni faturën e telefonatave nga dhoma e hotelit, përpara se të bëni checkout.
Shqipëria, e mbyllur për gjysmë shekulli në bunkerin e diktaturës më izolacioniste të perandorisë komuniste, kaloi periudha të vështira, dramatike, pas daljes në detin e hapur të lirisë. Një regjim mund të ndryshojë në një javë, ndërsa zakonet e të jetuarit me përgjigje të gatshme nuk zhbëhen dot, as në një gjeneratë.
Gjyshi im, që nuk e jetoi dot demokracinë, u largua pa e parë dot as në ëndrrën e tij më të guximshme që, një ditë, unë, mbesa e tij, do të gjendesha këtu me kaq shumë miq nga vende, që, deri vetëm 27 vite më parë, shqiptarëve të kohës së tij u thuhej se ishin të marra peng prej imperializmit amerikan e social-imperializmit sovjetik.
Ai jetoi kohën e bunkerit dhe të shtëpisë me gjethe, dy muze të sapohapura që ju sugjeroj t’i vizitoni; gjenden vetëm pak metra më larg, si hapësira kujtese e viteve të një kohe që, e treguar sot me fjalë, mbetet tejet e ekzagjeruar në përmasën shtrënguese te saj, sa, edhe për ne që e jetuam, ngjan e pamundur të ketë qenë realiteti i përditshëm e i përnatshëm, një orë larg Romës, dy larg Berlinit, për 45 vjet me radhë. Nuk do të mund ta imagjinonte kurrë im gjysh, që fare ngjitur me ato dy hapësira të barkut të padepërtueshëm të territ të frikës së ngritur në sistem do të ngrihej godina ku jemi mbledhur; një perlë e arkitekturës bashkëkohore europiane, e vlerësuar ndërkombëtarisht nga Muzeu i Artit Modern të Nju Jorkut si një ndër 10 godinat më mbresëlënëse që janë ndërtuar në 10 vitet e fundit në botën e madhe, ku tanimë jeton edhe Shqipëria, si një pikë uji e rrjedhshme në oqeanin e madh të lirisë.
Krejt ndryshe nga im gjysh, unë dhe i gjithë brezi im patëm fatin të jetojmë ndërrimin mes dy botëve, qe ndanë historinë e Shqipërisë në dy pjesë krejt të ndryshme, çerek shekulli totalitarizëm komunist dhe një çerek shekulli tjetër demokracie në formim. Jeta jonë u spostua sa hap e mbyll sytë nga vetëm brenda rrugicave të lagjes e rrugëve të qytetit, ku bulevardi na ngjante si shtylla vertebrore e globit, në hapësirën e paanë të zgjedhjes së lirë përballë mundësive e tundimeve të gjithfarë lloji përgjatë një rrotullimi marramendës të botës. Nga barazia në varfërinë kolektive, te frenezia drejt vetpërmbushjes individuale; protagonistë, viktima, dëshmitarë të një transformimi epokal, për mirë dhe keq, me hir e me pahir, ku individualizmi ekstrem në mungesë të institucioneve të bashkëjetesës demokratike e bëri jetën tonë një kaos dhe kacafytje për të dalë mbi ujë e për të mbijetuar.
Natyrisht, kjo vorbull e patregueshme rëndoi posaçërisht mbi gruan e vajzën. Ato dolën në detin e hapur me përgjegjësinë natyrale të të qenit pjesa me vulnerabël, që duhet të bëjë rolin më të vështirë. Drita verbuese e botës së lirë nxori në dritë hiret e tyre, përmes një epidemie konkursesh, nga Miss Albania, si revansh i kohës së emancipimit komunist, kur gruaja, njësoj si burri, humbi të drejtën të shfaqej e ndryshme në hiret e saj. Padyshim, liria çliroi energji të panjohura te gra e vajza ambicioze që, në rrugët e politikës, biznesit, po sidomos shoqërisë civile, sprovuan veten dhe provuan se barazia gjinore nuk ishte një utopi, po një rrugë e gjatë që mund të ndërtohej metër për metër, përmes forcës së shembujve. Por ajo dritë verbuese pati efektin e saj drithërues mbi zonat gri që u kthyen në të zeza, duke u bërë territore të rikthimit të kohëve të errëta përpara revolucionit komunist, ku gruaja e vajza u gjenden në rrëpirën marramendëse të udhës drejt së shkuarës. Prej aty, prej andej, lindën fenomenet e izolimit, dhunimit, trafikimit të grave.
Dhe ende sot, pas pak më shumë së çerek shekulli qysh prej ballafaqimit me dritën e lirisë, nuk e di nëse më shumë duhet të gëzohem për arritjet mbresëlënëse të gjinisë sonë apo duhet të trishtohem për regresin rrëqethës që iu imponua simotrave tona, në territore ku ora punoi mbrapsht për shumë vite me radhë.
Gra gjysma e kabinetit qeveritar, një e katërta e Parlamentit shqiptar?! Gra njësoj sa burra në këshillat bashkiake?! Gra në më shumë se 40% të linjës së parë të menaxhimit në kompanitë private?! Gra në më shumë se 50% të niveleve të larta të administratës publike?! E kush nuk do të çuditej, si përpara një përralle shumë të bukur për të qenë e vërtetë, nëse do të dëgjonte qoftë edhe 10 vjet më parë se Shqipëria do të ishte kështu si sot, një ditë?!
Po kjo është vetëm pjesa e ndriçuar e medaljes. Ka ende shumë gra e vajza që nuk ia kanë dalë të ngrihen mbi dallgët e vështirësive, duke mbetur në kthetrat e diskriminimit e të dhunës së përditshme, të paragjykimit ekstrem të botës që i rrethon! E cila nënshtrimin e gruas e ka kthyer në normë dhe sjelljen e vrazhdë si prelud i dhunës në një mënyrë jetese. Shumë gra dhe vajza gjenden ende sot nën peshën e punëve të renda, në këmbim të të ardhurave më pak se modeste, për të vijuar me punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët, nën presionin e mendësisë që i sheh ato si kurrizulurat e shtëpisë. Kjo pjesë e errët e botës, së bashku me historitë e trishta, gjendet e strukur dhe e mënjanuar dhe thuajse asgjë nuk penetron brenda saj. Nuk penetron syri i medias dhe as ekspozita e madhe e botës së klikimeve dhe pëlqimeve, që përthith fuqishëm vëmendjen tonë. Nuk penetron fuqia e institucioneve dhe as shoqëria civile që e ka zbehur dukshëm rolin e saj të drejtpërdrejtë në komunitete duke rrezikuar kështu që, jo vetëm të gjitha këto gra e vajza të mos i gëzohen bukurive të jetës, po dhe të projektojnë te fëmijët e tyre të njëjtin fat.
Ka një shqetësim dhe debat të vijueshëm sot për krizat e të gjitha llojeve që rrezikojnë mirëqenien e familjeve shqiptare. Ky nuk është një shqetësim vetëm shqiptar, por thuajse i të gjitha vendeve të kontinentit tonë dhe përtej tij. Kaq e vërtetë është kjo, sa duket sikur sheh lajmet dhe debatet e trazuara të të njëjtit vend, kur kalon me pultin e televizionit nga një shtet fqinj në tjetrin apo nga një vend i BE në tjetrin. Në brendinë e këtij shqetësimi duket sikur vlon një e vërtetë e pathënë dot deri në fund, por që lidhet me vlerat, në një moment të historisë sonë kur duket sikur e gjithë bota po bëhet e afërt sa një ekran telefoni. Ndërkohë që gjithçka po lëviz vrullshëm në një drejtim të pasigurt, minimumi që mund të thuhet për individin, për prindin dhe posaçërisht nënat, tek shohin pushtimin e hapësirave të tyre familjare nga miq virtualë, të cilët diktojnë nga ekrani i vogël shijet dhe stilin e jetesës, duke konkurruar dukshëm kodet familjare të trashëguara brez pas brezi.
Në një botë ku makina po i merr gjithnjë dhe më shumë terren njeriut, ku materialja po përparon në një konkurrencë përditë e më cinike me shpirtëroren, ku e sipërfaqshmja është në dëm të thelbësores, pëlqyeshmëria imediate në dëm të thellësisë së pëlqimit, si grua dhe si nënë, besoj që lipset të gjejmë motivet e vështira për të reaguar. Të përpiqemi në nxitjen e mendimit dhe debatit mbi kërkimin e mënyrave dhe formave të reja, për të mos hequr dorë nga rëndësia e komunikimit tradicional, nga rëndësia e shembullit të mirë dhe respektit për të, nga rëndësia e pakonkurrueshme e dashurisë, dritës dhe magjisë së prehrit të nënës dhe gjyshes, qysh në fëmijëri, mbi çdo magji tjetër, nga edukimi i fëmijëve për t’iu gëzuar gjërave të thjeshta të jetës dhe për të kultivuar tek ata dëshirën për të ndihmuar dhe për t’iu gjendur gjithkujt që ka nevojë.
Duke pasur nderin të jem e para që flas përpara jush, kam edhe merakun se mos kjo përparësi nuk lexohet për atë që është. Një shenjë nderimi ndaj jush në radhë të parë, një shprehje tradicionale mirëseardhjeje, pa pretenduar asgjë më shumë sesa të kontribuoj që ju të ndjeheni mirë dhe të doni të riktheheni në Shqipëri. Nuk më shkon aspak mendja të jap më shumë sesa çfarë unë mund të bëj që ju të ndiheni sa më mirë në këtë samit, që ka mundësinë të mbledhë njerëz të ditur e me pasion, të cilët suksesin e tyre nuk e quajnë të përmbushur pa kontributin në çështje të qenësishme që shqetësojnë të sotmen tonë dhe me shumë pikëpyetje për të nesërmen.
Këto të miat, ju lutem, merrini si një kontribut i kërkuar, të cilin e jap më dëshirën më të madhe për t’iu bashkuar këtij evenimenti fantastik, me kërkesën e organizatorëve, që donin fjalën time hyrëse.
Ju falemnderit për këtë nder dhe lejomëni të pyes:
Si ndihemi në thelb ne në botën e pushtetit, financës, spektaklit, mësimdhënies, vendimmarrjes?
Si ndihemi ne, gra të pushtetit e të biznesit, gra të anonimatit të sforcuar apo famës shpesh herë të padëshiruar, gra të spektaklit dhe aktore vendimtare prapa kuintave?
Tek përparojmë në çka presim nga sforcot tona të përditshme, gjenerojmë ankth në vetvete dhe rreth nesh apo bëhemi përçuese të një mirëqenieje të shëndetshme vetjake, sociabiliteti dhe respekti?
A ka ekuilibër të mirëfilltë në çka ndërmarrim në përditshmëri dhe në momente specifike kyçe, ku luhet jo vetëm fati ynë, por ai i kolegëve, miqve dhe të afërmve, me raste edhe i vetë familjes?
Sjellim qartësi apo tymnajë, siguri apo luhatje, shpresë apo dëshpërim, orientim apo përhumbje, vetëkënaqësi apo çlirim të vërtetë?
Tematikat e hapura të këtij samiti rreken të formulojnë këto pikëpyetje, me të cilat, përballemi në çdo moment.
Përballem, në distancë, me brengat dhe dilemat e një bashkëshorti, pionier i emancipimit të gruas në shoqëri, i cili ndoshta ende nuk i sheh frytet e këtij procesi të kenë ndikimin pozitiv thellë në shoqërinë shqiptare.
Përballem, shumë shpesh e vetme, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me pikëpyetjet dërrmuese të një fëmije që, veç rishtazi, ka filluar të belbëzojë dhe që gjendet që i vogël në një univers të dominuar nga supremacia e internetit.
Zaho i vogël, im bir, nesër do të këpusë nyjat ushqyese të familjes, që, edhe për ca kohë, do t’i sigurojnë një strehë të baraspeshuar sigurie dhe përgjegjësie. Nesër ai do të gjendet përballë sfidave më angazhuese se ç’kemi njohur ne dhe brezi ynë. Atëherë, nënës së tij, e cila derisa ai të ketë fluturuar me krahët e tij, do të jetë munduar t’i jetë pasqyrë e feminilitetit të arrirë dhe shtyllë e një shoqërie të larmishme, ai do t’i kërkojë llogari dhe me të drejtë, ndoshta duke perifrazuar shprehjen biblike: « Çfarë kërkon prej meje, grua? » « Përse u fute zhurmshëm në histori dhe dole prej saj në hapësirën e një brezi, pa bërë zë? »
Si duhet të ndihemi ne gratë, për botën që po brumosim me pamje të rafinuar, por me gjymtyrë prej burri, si biznesmene, politikane, të fuqishme mes të fuqishmëve apo që po promovojmë, dashje pa dashje, me një indiferencë të sofistikuar që mezi fsheh ankthin ekzistencial dhe pakënaqësinë e thellë ndaj vorbullës antifemërore të kësaj epoke?
Demografi në rënie, shpërthim emigrimi i pakontrolluar, sepse i pakuptuar dhe i pakuruar, ekstremizma fetare, përcjellës dhune fizike apo shtrëngesash morale dhe intelektuale të kobshme, relativizëm i theksuar etik, që na bën të pandjeshëm në esencë ndaj çdo klithme individuale në zhurmnajën e përbotshme, jehonë luftërash, pa krisur ende e para armë.
Këtë apel përgjegjshmërie, desha ta artikuloj sot këtu, jo për një diagnozë të gjërave që nuk shkojnë mirë. E bëra për të thënë se Shqipëria ku u mblodhët sot, është një vend ku ja vlen të rikapitullosh dhe të debatosh sfidat e përbashkëta, me taktin, humorin dhe seriozitetin e duhur.
Më kujtohet leximi i dy librave të Toras hebraike, libri i Esterit dhe ai i Rutit, në të cilët gjeniu i gruas, si kokrra e rërës ingranazhin shkërmoqës, bllokoi mekanizmin vrastar të përplasjes pushtetare mes burrave apo të fataliteteve të jetës.
Dhe në respektin tuaj, dua ta lë këtë fjalë pa një mbyllje, si një hapje të një rruge ku jam e bindur, ju i keni të gjitha motivet e forcat për të shtruar tapetin e të ardhmes.