PROFESIONAL

Gratë e fëmijët, nën kthetrat e rrezikut të botës online - Konferenca “ Dhuna psikologjike dhe dhuna online ndaj grave”, Tiranë - qershor 2024

E çmoj këtë  ftesë sepse mundësia për të qenë këtu sot, ku flitet për një shqetësim që 33 vite më parë, bota nuk e imagjinonte, se ne jo jo, është e veçantë për mua. Sepse kur më ftove, me siguri nuk e dije që përveçse dhe pavarësisht se më ke ftuar si bashkëshorten e kryeministrit, ke ftuar një njeri, që jeton me këtë shqetësim çdo ditë dhe që jo vetëm si intelektuale e aktiviste e shoqërisë civile, po mbi të gjitha si grua e si nënë, kërkon të kuptojë se si mund të adresohet një shqetësim i tillë sa s’është shumë vonë.

 Të nderuara dhe të nderuar miq e të ftuar në këtë hapësirë diskutimi,

 u uroj mirëseardhjen atyre ndër ju që kanë ardhur nga jashtë dhe i përshëndes ato e ata që janë të mëhallës sonë.

 33 vjet më parë, Shqipëria e sapodalë nga izolimi i skajshëm komunist ishte një vend i zymtë, kaotik, sa shpresëplotë aq edhe i paorientuar në hapësirë e kohë. Vajzat dhe gratë u ndodhën papritur në spiralen e një vorbulle të paimagjinueshme sot për ato që asokohe ishin fëmijë apo ende s’kishin lindur. Përmasa e sfidave dhe ndjesia e rrezikut të asaj vorbulle ishin të papërshkrueshme. Të kërcënuara masivisht nga boshllëku i papunësisë, zbulimi i varfërisë ekstreme, rikthimi i patriarkalizmit të kahershëm, mungesa e rendit publik, presioni i emigrimit ilegal, braktisja e imponuar e shkollës, trafikimi dhe prostitucioni i mishit të bardhë.

 Një hapësirë ku të drejtat dukeshin utopi dhe një kohë kur shteti dukej pa kokë. Gratë dhe vajzat nuk figuronin në asnjë pikë të sferës së re të interesave dhe në asnjë tabelë statistikore, përveçse tek lindjet, vdekjet, martesat apo divorcet.

 Në parlamentin e dalë nga zgjedhjet pluraliste të vitit 1992 numëroheshin 148 burra dhe vetëm 7 gra. Në qeverinë e parë demokratike nuk kishte asnjë grua. Një dekadë më vonë, qeveria kishte 20 burra dhe vetëm 2 gra, ndërsa në parlament 10 vjet shtuan vetëm dy gra, nga 7 u bënë 9. Pra u kishte mbetur burrave që të bënin kuvendin dhe sëbashku me hallet e vendit, të kujdeseshin edhe për hallet dhe të drejtat e grave.

 Një institucioni anemik të ngarkuar me çështjet gjinore, iu desh të endej për 15 vite me radhë nga një korridor  tek tjetri, duke ndryshuar emër, formë, adresë, derisa u sistemua nën një strehë më afatgjatë. Lindi në vitin 1991 si një sektor për gratë pranë Komisionit për Punë dhe Paga, e më pas herë shfaqej si sekretariat, herë si drejtori, pastaj si komitet, më tej si komitet përsëri po me një emër të ri, duke kaluar nga sqetulla e Ministrisë së Punës, në xhepin e mbrapëm të Ministrisë së Kulturës, nën mëngën e Kryeministrit pastaj të zevendëskryeministrit, derisa në vitin 2006 u shfaq si Drejtori e Përgjithshme në Ministrinë e ngarkuar me Çështjet Sociale . …

 Kjo kujtesë vlen sot vetëm për faktin se kursi tragjikomik i mbijetesës së atij institucioni do të kishte vijuar së ekzistuari, nëse nuk do të shfaqeshin qysh në vitin 1991 organizatat e shoqërisë civile. Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare (1991), Refleksione (1992), Shoqata e Planifikimit Familjar (1992), E dobishme për Gruan Shqiptare (1993), Programi i Gruas në Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (1994), Qendra e Gruas (1995) të gjitha në kërkim të mbrojtjes së të drejtave të grave, në inkurajim të grave për pjesëmarrje në zhvillim dhe në nxitje të përpjekjes për barazisë me burrat. Pra edhe pse embrionale e të brishta përballë furisë së vorbullës që lartpërmenda, këto krijesa themeltare për gjithçka pasoi më vonë, ia dolën sidoqoftë ta përçojnë arsyen e ekzistencës së tyre edhe në veshët e shtetit pa kokë.

 Më tej, pas tragjedisë kombëtare të vitit 1997, lulëzuan guximshëm shoqatat që ofronin shërbime ndërgjegjësimi për çështjet gjinore, strehëzat për gratë e dhunuara dhe të trafikuara, shërbimet e këshillimit dhe asistencës për to dhe fëmijët viktima të trafikimit, dhunës, abuzimit si edhe atyre në rrezik. Vlen po ashtu kjo kujtesë edhe për faktin se në këtë betejë nuk ishim sidoqoftë vetëm. Fondacioni "Shoqeria e Hapur për Shqipërinë", UNDP, UNICEF, UNWOMEN, UNFPA, BB, Koperacioni Italian, Hollandez, Suedez, Zviceran e të tjera agjenci bilaterale apo shoqata humanitare dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pandërprerë në rrugëtimin për më shumë barazi, përfaqësim, ndërgjegjësim, këshillim, referim- shërbim - mbrojtje në rast nevoje, nxitje e inkurajim për sipërmarrje private e punësim.

 Sot realiteti është i pakrahasueshëm me atë që sapo përshkrova shumë përmbledhtazi. Shoqëria civile ia doli të nxiste me qëndrueshmërinë e saj kokëfortë një rritje të dëgjueshmërisë mbi atë anë aq vulnerabël brenda vorbullës marramendëse ku kaloi ajo pjesë dramatike e tranzicionit. Me të gjitha format dhe pa u ndalur ajo masë aktive krijoi cilësi me pak sasi, duke ndikuar suksesshëm axhendën ligjore dhe atë të të drejtave në dobi të gruas, përmirësimin e përfaqësimit politik dhe jetësimin e modeleve të para të shërbimeve për vajzat dhe gratë në nevojë.

 Shteti që ndërkohë nisi të rigjente kokën, filloi të krijojë një kornizë të qendrueshme ligjore, institucionale e strategjike në mbështetje të vajzave dhe grave, duke krijuar edhe premisën e integrimit të dimensionit gjinor në të gjitha nivelet si edhe duke fituar qartësi në vazhdimësi, për t’u bërë natyrshëm bashkëpunues dhe këmbëngulës në objektivat me natyrë gjinore.

 Po mbi të gjitha, janë vetë gratë të cilat në këto tre dekada ia dolën që falë përpjekjeve të tyre, të bëhen një realitet i jashtëzakonshëm kontribues në të gjitha nivelet dhe një gjenerator zhvillimi e emancipimi. E me këtë parantezë të gjatë lejomëni të dal tel ai shqetësimi i mundimshëm me të cilin hyra në fjalën time.

 Në rrugëtimin e nisur në vitet ’90 ne e dinim cilët ishin keqbërësit, dhunuesit, shantazhuesit, penguesit në përgjithësi, në kuptimin që kishim një përkufizim për këto kategori. Pësuam, mësuam dhe u fuqizuam në përballjen me ta, bashkarisht, si ne si edhe shteti.

Por mua më duket se e gjitha kjo u vu dhe mbetet përditë përballë një dyshimi e kërcënimi të ri, qysh në momentin kur në jetën tonë u shfaq facebook, youtube, instagram, e më tej Tik Toku e Whatsup, një botë në një korsi paralele me botën përpara tyre, ku mua më duket se kjo botë nuk ndahet më në një botë me vende të zhvilluara apo vende në zhvillim, po ripërkufizohet si një botë e vetme, sa e bekuar  me avantazhet krejt befasuese të internetit, po aq dhe e mallkuar nga befasia e kapaciteteve të tij keqbërëse.

 Kështu, teksa dhuna në familje vijon të jetë ende një plagë për shumë vajza dhe gra në një shoqëri që jeton ende në kornizat e steriotipeve të së kaluarës dhe problematikave ekonomike, kulturore e sociale të së përditshmes, një dhunë tjetër, dhuna online, është shfaqur në jetën tonë si një e përditshme që shtrin zotërimet e saj me një fuqi të papërballueshme në territore të reja brenda nesh, rrotull nesh, mes nesh, duke krijuar papushim rrathë të rinj, të cilët po aq sa e shumëfishojnë në potencë, aq edhe e ngushtojnë në fakt hapësirën e lirisë së njeriut, që praktikisht nuk mbaron më aty ku fillon liria e tjetrit.

 Në vitin 2024 raportohet që cyberbullying arriti një nivel rekord në Europë. Numri i viktimave vajza, në çdo vend Europian, është shumë më i lartë se i djemve. Ai i viktimave adoleshentë shumë më i madh se sa i viktimave në moshë të rritur.

 Një analizë rajonale e pak muajve më parë nga UNËomen deklaron se 41% e grave në Shqipëri kanë qenë subjekt i të paktën një forme dhune nëpërmjet teknologjisë (është 53% mesatarja e vendeve të rajonit) - shumica e tyre nga instagrami. 50% e dhunuesve janë persona të panjohur apo sic më vjen t'i quaj "tinzarë digjitalë". 37% e të dhunuarave e sigurojnë vetëmbrojtjen duke bllokuar apo shkëputur komunikimin me dhunuesit. Më pak se gjysma e rrëfejnë ngjarjen me miq apo familjarë dhe papërfillshmërisht pak janë ato që i drejtohen policisë, insitucioneve dhe shoqatave. Për shkak se nuk besojnëqë zgjidhja mund t'i vijë prej tyre.

 Në Shqipëri, UNICEF raporton që për prindërit fëmija është më i sigurtë kur ecën në rrugë vetëm në errësirë, se sa kur është në shtëpi online me një celular përpara.

 Ndërsa, raporti i monitorimit për gjuhën e urrejtjes në Shqipëri 2023 konstaton se më së shumti në shenjestër të gjuhës së urrejtjes dhe diskursit diskriminues në median televizive, të shkruar dhe në platformat e mediave sociale është gjinia.

Gjuha e urrejtjes buron kryesisht nga vetë media, gazetarë dhe analistë, por në raste sporadike edhe nga politikanë, artistë, intelektualë, pedagogë, persona të famshëm dhe individë me ndikim në publik që si rregull nuk rrëfejnë kurrë veten, por bëjnë gjyqin e “të tjerëve”, duke drejtuar gishtin gjithnjë nga ata, asnjëherë nga vetja, pa u kundërshtuar nga intervistuesit apo drejtuesit e emisioneve apo më tej edhe nga kolegët e tyre.

 Atëherë pyetja që lind është cilët janë aleatët e grave, nënave, prindërve në përgjithësi, në ballafaqim me rrezikun digjital dhe dhunën online mbi ato vetë apo fëmijët e tyre?

 Big-Tech nuk duket se është aleati ynë. Faktet e sjella nga studimet apo raportet, përveçse nga jeta e përditshme e çdonjërit, provojnë se ndonëse ka një rritje të vëmendjes së Big-Tech-ut mbi çështjen e dhunës online, prioriteti i kompanive tech mbetet fitimi dhe pushtimi i hapësirave të jetës njerëzore, jo siguria e njerëzve në hapësirat super joshëse të krijuara prej tyre. Big-Tech-u sot na survejon, na njeh, na kupton cfarë pëlqejmë, cfarë duam dhe cfarë jo. Në hapësirën e vet, fëmijët tanë i njeh më mirë se vetë ne. Ky pushtim i hapësirës së intimitetit tonë, ka krijuar një komponent të përbindshëm të kapitalizmit, mbikqyrësin, i cili me informacionin marramendës që na jep në këmbim të kthimit tonë në lëndën e vet të parë, i ka dhënë jetë një forme të re pushteti mbi jetët e njerëzve dhe mbi fatet e botës, ku vetë fati i demokracisë si vullnet i lirë i qytetarëve, duket se është seriozisht i kërcënuar.

 Presioni i shoqërisë civile mbi qeveritë për rrezikun online nuk duket se është ende i krahasueshëm në nivel me atë për cështjen e ndryshimit të klimës, që i nxiti, vetëdijësoi, detyroi qeveritë të ushtrojnë pushtetin e tyre për të marrë masa të forta mbi bizneset dhe nxitur financimet drejt mjedisit e qendrueshmerise klimatike.

 Por megjithatë, ashtu sic shoqatat e grave të viteve '90 diktuan ritmin e avancimit gjinor dhe mbështetjes së grave dhe vajzave, sot është plotësisht e mundur dhe legjitime, që gratë në të gjitha kapacitetet përfaqësuese të mos rreshtin së ofruari mbështetje e kërkuari zgjidhje, të paktën për shqetësimin e dhunës online ndaj gruas dhe mbrojtjes nga rreziku digjital.

 Sepse sot në parlament ndër 140 deputetë 50 janë gra, sot në Shqipëri janë më shumë gra se sa burra ministra, mbi 60% e administratës publike janë gra, shtuar këtu dhe faktin qëaktualisht rreth 80% e mësuesve në shkolla 9 vjeçare dhe 70% e mësuesve në shkollat e mesme janë gra gjithashtu.

 Po s’mund ta leme jashte ketij hesapi forcash përballë një halli kaq të madh, edhe faktin që gjithnjë e më shumë vajza dhe gra janë të punësuara në sektorin e teknologjisë e të informacionit, pothuaj të gjitha në moshë të re, që mund të mobilizohen qëdijen e tyre ta venë në dispozicion të përpjekjeve ndërgjegjësuese dhe gjetjes së zgjidhjeve, apo faktin që media sot ka si pjesë të trupës së vet 40% gazetare gra.

 Ne nuk mund të mos ndjehemi sot me shpresën që keqbërësit ndaj grave e vajzave, online po edhe offline, do të ndiqen, kapen, gjykohen më mirë dhe më shpejt, pa arritur të shtojnë numrin e viktimave të tyre, edhe për vetë faktin se aktualisht në Shqipëri gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve në detyrë janë gra.

 Por siç edhe mund ta keni kuptuar shpresoj deri ketu, unë thjeshtë shpresoj. Por nuk kam ende dot një përgjigje që të më japë qetësi përballë një shqetësimi kaq sekëlldisës, ku ndjesia se bota jonë demokratike është e papërgatitur përballë këtij zhvillimi të ri ku mundësitë e jashtëzakonshme duken sinonimi i një rreziku të jashtëzakonshëm, ekzistencial për vetë demokracinë, është kthyer në dominante e përditshmërisë sonë. Dhe ku më duket sikur çdo ditë që kalon unë si nënë jam më e paaftë për të mbrojtur djalin tim dhjetëvjeçar nga rreziku që kërcënon përditë fëmijët, vajzat e gratë në rradhë të parë.

 Prandaj edhe pse në këtë aktivitet të organizuar me dëshirë e vullnet të mirë, ne me siguri nuk do ta gjejmë dot përgjigjen që na qetëson, fakti që jemi mbledhur me vetëdijen e këtij shqetësimi marrmendës dhe me dëshirën për të ndarë frikërat, eksperiencat, mendimet e idetë tona, është në vetvete një ushqim për shpresën se përgjigja do të gjendet, madje shpejt.

 Faleminderit.

 

Kthehu në galeri
PUBLIK