PROFESIONAL

Miti se lufta është për burra ra - Samiti i Gruas së Re Muslimane, UN ECOSOC - prill 2021

 

Përshëndetje të gjithëve, e me gjithë keqardhjen që duhet ta bëjmë këtë komunikim të bukur në distancë, ky mbetet sidoqoftë një kuvendim i bukur, për të cilin organizatorët meritojnë admirim e falënderim.

Lidership, grua, botë, konkurrencë vijnë në fakt me një emërues të përbashkët, atë të betejave shekullore të së shkuarës, për të mbërritur shumëçka që, për stërgjyshet dhe gjyshet tona, ishte e paimagjinueshme; por edhe për sfidat e së ardhmes, që janë beteja të përditshme të së sotmes.

Ndërkohë, Covid-i do të mbetet gjatë në kujtesën e në reflektimet tona si momenti më i spikatur i fuqisë së gruas në botën e punës.

Janë në këtë vit covidian një pafundësi grash heroina nëpër spitale dhe qendra shëndetësore, që iu qëndrojnë te koka e vaksinojnë një pafundësi njerëzish çdo ditë, që punojnë për fabrikimin e vaksinave dhe medikamenteve të tjera, që studiojnë, analizojnë e komentojnë në frontin e kësaj lufte duke na ndriçuar rrugën e së ardhmes. Një shembull i shkëlqyer për këtë është padyshim themeluesja e BioNTech, znj. Ozlem Tureci, së cilës gjithë bota sot i detyrohet shpëtimin e miliona jetëve. Po janë edhe një pafundësi mësuesesh, që, me përkushtim të admirueshëm, në kushte të reja tejet sfiduese, mbajnë të pandërprerë rrjedhën e marrjes së dijes për fëmijët tanë. Janë edhe më shumë akoma gratë që mbajnë lidhur prej më shumë se një viti zinxhirin e punës, përballë zinxhirit të infektimeve që sfidon të përditshmen tonë, duke kërcënuar vazhdimësinë e jetës për çdokënd nga ne. Këto janë gratë heroina të betejës Covidiane, që thyen mitin e vjetër sa bota se lufta është vetëm për burra. Këtë armatë heroinash bota do e kujtojë gjatë.

Më tërhoqi gjithashtu në këtë ftesë audienca, qindra gra dhe vajza të mirarsimuara, me tituj universitarë dhe pasuniversitarë nga 45 vende të botës dhe po kaq përfaqësuese nga bota e aktivizmit civil. Do të kisha dashur shumë të kisha nderin të ndaja me to hapësirën e një salle, por, edhe kështu, ndihem e privilegjuar të jem pjesë e ekranit që bashkërisht po ndajmë. Lejomëni t'ju përcjell secilës shprehjen e admirimit e të respektit tim për atë që jeni, atë që bëni dhe atë që rrezatoni rrotull jush, duke e bërë botën më të mirë, falë pranisë e kontributit tuaj.
 
Unë vij nga një familje myslimane. Jam e martuar me Edin, që është katolik. Dy fëmijët tanë nga martesa e mëparshme janë të krishterë ortodoksë dhe i treti, djali ynë i vogël gjashtëvjeçar, do ta zgjedhë vetë se cilës fe do t'i përkasë, nëse do të dojë ta bëjë një ditë këtë zgjedhje, natyrisht. Kjo është në fakt Shqipëria e harmonisë ndërfetare, për të cilën ne shqiptarët krenohemi dhe, për këtë shkak, në shtëpinë tonë gjenden librat e shenjtë të Kuranit dhe Biblës, ku po njësoj jepet porosia se cilido që shpëton një jetë, ka shpëtuar të gjithë njerëzimin. Fati e solli në këtë vit covidian të shohim jo një, por një armatë njerëzish në shpëtim të jetës dhe të gjithë njerëzimit dhe gratë në ballë të tyre!

Unë jam ekonomiste, por nuk është instinkti i ekonomistes më i forti instinkt që unë kam. Qëndron shumë më i fortë brenda meje instinkti i nënës dhe i gruas, me një interes që shtrihet përtej vetes dhe familjes, në çështje të interesit publik, me dëshirën e vazhdueshme që të gjej mënyrën për të qenë e dobishme në to. Për mua, modeli i gruas profesionalisht të suksesshme është shumë i rëndësishëm, por nuk është në asnjë rast i mjaftueshëm. Sot, në frontin e parë të luftës me Covid-in për shpëtimin e jetëve të njerëzve, është së pari instinkti i nënës, i vajzës dhe gruas ai që i paraprin profesionalizmit të mjekes, infermieres, sanitareve, mësueseve, sipërmarrëseve, shkencëtareve. Në këtë betejë të pamëshirshme, është pikërisht ky instinkt që nuk i lë të lodhen, të mërziten, të dorëzohen.
 

Shqipëria sot ka një bilanc pararojë të përfaqësimit gjinor. Ajo është 9 pikë më lart se mesatarja europiane për nga prezenca e gruas në nivelet më të larta të vendimmarrjes publike, e barabartë me mesataren europiane në përqindjen e grave në parlament, ka më shumë gra sesa burra ministra në kabinetin qeveritar, mbi 60% gra në administratën publike, gra edhe në majat e institucioneve të drejtësisë, prokurore dhe gjyqtare dhe, sigurisht, gjithnjë dhe më shumë modele të suksesshme grash sipërmarrëse apo në nivelet më të larta të administrimit privat.

Janë aty, në majat më të larta, së pari, si një produkt i qartë i kapacitetit të ri shoqëror dhe politik, për të vlerësuar rëndësinë e gruas në vendimmarrjet me peshë dhe si rezultat i përpjekjeve afatgjata emancipuese të nënave, të mësueseve dhe të aktivizmit civil.
 
Por, ndërsa i gëzohemi ngjitjes së grave drejt majave të vendimmarrjeve publike dhe private, dhjetëra e mijëra gratë e tjera presin të shohin atje, në majën e pushtetit politik dhe ekonomik, së pari një aktiviste dhe jo një burokrate, tek e cila pulson fuqishëm në karrigen e lartë të pushtetit apo në fronin e lartë të profesionalizmit dhe të sipërmarrjes, ashtu si për gratë heroina në betejën covidiane, instinkti i nënës dhe i gruas që, në botën konkurruese lufton për të drejtën, refuzon ashpërsinë, dënon dhunën, hap shtegun e mundësive për të tjerë, shëron plagë, zgjat dorën, inspiron, motivon, mbështet, pa u dorëzuar.
 
Kemi të drejtë të ndihemi mirë dhe shpresëplotë sot teksa shohim më shumë ministre, gjyqtare, prokurore, menaxhere, administruese të larta, sipërmarrëse. Por kjo prezencë do të mbetet një statistikë më shumë në harresën e kohës, nëse nuk do të përkthehet në mision për të influencuar zgjidhjet që presin problemet e mijëra vajzave dhe grave, që përjetojnë dhunë, bezdi seksuale në vendin e punës apo në hapësirat publike, paragjykime që bëhen pengesë për shpalosjen e pasioneve të tyre, kushte të vështira pune, pamundësi arsimimi dhe punësimi, varfëri. Ky mision mund të jetë i suksesshëm vetëm atëherë kur në themel dhe mbi çdo pushtet do të qëndrojë pushteti i vlerave dhe i ndjenjave të thella njerëzore.


Ndaj, nesër, ju, vajza dhe gra, ekonomiste, juriste, mjeke, inxhiniere, eksperte të të gjitha fushave, jam e sigurt që do të kërkoni me ngulm suksesin duke u përballur me sfida aspak të lehta. Do të ngjiteni në majat e larta të karrierës, duke shpërblyer kështu mundin tuaj dhe mbështetjen e familjeve tuaja. Po mos harroni që sakrifica e brezave kërkon që, në përpjekjet tuaja, së pari të thërritni atë, instinktin e nënës dhe të gruas, që botës pas pandemisë do t'i jepte modestinë, vetëpërmbajtjen, kontrollin e vetvetes, shmangien nga vëmendja për veten dhe nga vaniteti sipërfaqësor, disiplinën, bujarinë dhe ndjenjën e bashkësisë, pikërisht ato asete që Kurani thotë duhet t'i kultivoni, “nëse doni të korrni sukses” (Sure An-Nur, 24; 31).
 
Bota pas pandemisë do të jetë një botë që do të kërkojë më shumë kuvendim, më shumë drejtpeshim të sfidave, më shumë dëgjesë mbi larminë e problemeve, më shumë përgjegjshmëri sociale për individët në nevojë, më shumë butësi, më shumë njerëzi, më shumë ndjeshmëri ndaj mjedisit, më pak grykësi dhe përballje për sundim. Ju e kuptoni më mirë se kushdo vlerën e kësaj urdhërese të Kuranit: “Mos mëtoni çka Allahu i ka dhënë dikujt me tepri krahasimisht me të tjerët: burrave pjesën që kanë, grave njësoj, gjithë pjesën që u takon” (Sure An-Nisa’, 4; 32).

Suksese të gjithave dhe secilës prej jush.

Kthehu në galeri
PUBLIK