PROFESIONAL

Fëmijet e këtij vendi meritojnë një ofertë të re - Kongresi PS - shkurt 2020

Mirë se ju gjej!

Në gjithë këto vite të gjata, është hera e parë që marr pjesë në një forum të Partisë Socialiste dhe, aq më shumë, që marr fjalën në një forum të Partisë Socialiste. Përveç pjesëmarrjes në takimet e fillimit dhe të mbylljes së fushatave elektorale, ku i jam gjendur në krah Edit, kam ruajtur me fanatizëm bindjen se koha, rruga, betejat, me gjitha çfarë kanë brenda në vorbullën e jetës suaj në këtë front, i përkasin vetëm e vetëm Partisë Socialiste. Ndërsa familjes së vogël, asaj të gruas dhe të burrit, nënës e babait, prindërve e fëmijëve, i përket vetëm mbështetja e padukshme, por e patundshme, pa kushte, pa u lodhur dhe pa u dorëzuar. Mbështetje për njeriun e saj, që pjesën më të madhe të jetës së tij e ka të lidhur pazgjidhshmërisht me familjen e madhe politike, por, mbi gjithçka, me kauzën së cilës ai i është përkushtuar në dobi të Shqipërisë, ku kemi lindur dhe ku kanë lindur e nesër do të lindin fëmijë, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Por, befasisht, e ndjeva të natyrshme edhe ftesën e papritur që m’u bë për të ardhur këtu e për të marrë fjalën në këtë ditë të grave, me gratë dhe për gratë, me moton e bukur: “Edhe një!” Them befasisht, sepse vijimësisht të natyrshme kam ndjerë të kundërtën, refuzimin për t’u shfaqur si protagoniste, qoftë edhe një moment, nën çatinë e madhe të Partisë Socialiste, por edhe nën dritat e skenës publike përgjithësisht. E gjithë pse-ja e pranimit të kësaj ftese, pikërisht sot dhe pikërisht këtu, mbase do të dalë në rreshtat e fjalës sime, por lejomëni t’ju them se, në sekondë, ky m’u duk momenti i duhur dhe vendi i duhur për të folur publikisht. Prandaj, falemnderit kujt i shkoi mendja për të ma bërë këtë ftesë dhe falemnderit të gjithave ju, që, me mikpritjen tuaj, thjesht më konfirmuat se bëra shumë mirë që e pranova pa mëdyshje.

Faleminderit Lindita për prezantimin që aq bujarisht bëre dhe uroj të kem një vlerë të shtuar në këtë aktivitet domethënës. Fjala ime, që përzien brenda nënën, studiuesen, aktivisten civile dhe shoqen e jetës së kryetarit tuaj, shumë i dashur për pjesën më të madhe tuajën, por shpresoj për të gjitha ju, nuk pretendon të jetë asgjë më shumë sesa një shprehje e dëshirës së mirë për të ndarë publikisht me ju disa mendime të miat modeste.

Në vjeshtën e vitit 2005, Partia Socialiste zgjidhte kryetarin e saj të ri. Në atë kohë, së bashku me kolegë të mi, kishim filluar të aplikonim modelin e ri të shkollave komunitare në një komunë në jug të vendit, diku në zonën e Gjirokastrës, Përmetit. Kryetari i asaj komune ishte delegat në atë kongres zgjedhor. Ishte ai kongresi i trazuar që, në fund fare, zgjodhi kryetar Edin, pak muaj pasi Partia Socialiste doli në opozitë. Në përfundim të Kongresit, kryetari i komunës erdhi në zyrën tonë për të biseduar për aktivitetet që do të zhvillonim në shkollën e komunës së tij.

Në një moment, dikush nga ne e pyeti:

Si shkoi kongresi?

Nuk e zgjodhëm ne kryetarin, - tha – ne delegatët. E zgjodhën fëmijët tanë. Na mbytën me mesazhe duke na thënë “zgjidhni atë të gjatin”. Është modern ai dhe e ka shumë të lehtë komunikimin me ta - e mbylli kryetari me një buzëqeshje, që, sa ç’tregonte dyshim tek i gjati, aq tregonte edhe një lloj lehtësimi apo besimi që kishte përmbushur dëshirën e fëmijëve të tij.

E pra, Edi erdhi në krye të Partisë Socialiste si një thirrje e fëmijëve të atyre që, mes plot vështirësish, pengesash të mëdha, sakrificash të jashtëzakonshme, rënieve dhe ngritjeve, i dhanë jo pak Shqipërisë së trazuar të 15 viteve të para, pas daljes në rrugën e lirisë dhe të demokracisë. E fëmijëve ishte në fakt edhe thirrja, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, që mblodhi popullin e tërë në hapjen e asaj rruge 30 vite më parë. E fëmijëve mbetet sot e gjithë arsyeja themelore pse politika duhet të ekzistojë, pse partitë duhet të ndeshen në betejën e vizioneve dhe të ideve për të nesërmen, pse vetë Partia Socialiste duhet të kërkojë më shumë nga vetja e saj dhe pse ju, gratë e vajzat e kësaj familjeje të madhe, duhet të këmbëngulni në përpjekjen tuaj për të qenë gjysma më e mirë e kësaj partie.

Ka ndodhur një ndryshim i madh, real dhe i paimagjinueshëm deri jo shumë vite më parë, që, personalisht, më bën të ndihem shumë mirë, kur flas jashtë vendit për përfaqësimin gjinor në Shqipëri. Kjo, me siguri, është pjesë e qenësishme e arsyes që më bëri të vij këtu sot te ju gratë që i përkisni partisë që ka meritën e padiskutueshme për këtë ndryshim dhe që keni barrën e padiskutueshme për ta thelluar atë. Ta bëni atë një ndryshim që shtrihet poshtë, pasi ka ndodhur lart, sepse, që ta themi deri në fund, kur një burrë del në dritën e skenës publike, ai është një më shumë në gjininë e të shumtëve, ndërsa një grua në skenën publike e mbart si hijen e vet detyrimin për t’u bërë një zë dhe forcë tërheqëse më shumë e gjinisë së saj.

Është vërtet krenari ta shohësh sot Shqipërinë të renditet në një nga 5 vendet e para në botë për pjesëmarrjen e grave në qeveri dhe po ashtu të shohësh se në tabelën globale të suksesit, aksesit të gruas në sferën publike, Shqipëria sot është në pozicionet më të mira, krahasuar me çdo tabelë tjetër.

Në këndvështrimin tim modest, kjo ngjitje me vlerë historike e gruas në lartësinë e vëmendjes së partive politike, falë Partisë Socialiste, është një vlerësim i admirueshëm jo thjesht i meritës individuale dhe kontributit individual. Është vlerësim sa i drejtë, aq edhe kurajoz, sa politik, aq edhe humanist për përpjekjen dhe kontributin afatgjatë të nënave, të mësueseve, të aktivisteve civile në betejën e vazhdueshme të tyre për zhvillim dhe për emancipim. Kjo përpjekje që vijon në format e veta të panumërta në çdo qelize shoqërore të këtij vendi, meriton plotësisht që rrjeti i fuqizuar sot i grave dhe i vajzave në politikë të gjejë forma e mënyra për t’i vënë ambiciet individuale dhe aksesin në jetën publike në dispozicion të familjeve të zakonshme, ku nënat dhe bijat e tyre zhvillojnë betejën emancipuese dhe zhvilluese në kushte ende tejet të vështira.

Përpara një auditori të tillë jam shumë e tunduar për të rrokur çdo temë të së përditshmes tonë, por dua të qëndroj te më e rëndësishmja brenda meje, që është ajo thirrja e fëmijëve, e cila kalon si jehonë në tërë zinxhirin e viteve duke u kaluar vit pas viti edhe te grupmoshat e fëmijëve tanë. Për mua, ata, fëmijët tanë, janë shëmbëlltyra e Europës që kemi brenda nesh. Detyrimi ynë që t’i trajtojmë ata si të tillë, jo vetëm kur flasim me ta apo për ta, por edhe kur flasim me njëri-tjetrin apo me publikun, them se qëndron mbi të gjithë detyrimet e tjera. Me këtë të fundit kam parasysh dëmin e pallogaritshëm që i bëhet kësaj Europe të brishtë brenda nesh nga egërsia, vulgariteti, varfëria e mjedisit tonë publik të komunikimit.

Europiani i vogël që lind dhe rritet në familjet tona ka nevojë për një përkujdesje të jashtëzakonshme, që të zhvillohet mendjehapur dhe tolerant dhe të dijë te identifikojë të përbashkëtat e të çmojë të veçantat mes modeleve dhe kulturave të qytetërimeve.

Përkatësia e tij në botën moderne s’mund të lihet si një gjë që rrjedh në listën e gjërave të tjera. Përpara tyre shtrihet një jetë që nuk ka të ngjarë thuajse fare me jetën që kemi patur ne në fëmijërinë tonë.

Dhe na takon të gjithave të pyesim, po mbase juve ju takon të pyesni më shumë sesa kaq; madje, jo vetëm të pyesni, po edhe të ushtroni presion për të marrë përgjigjet e duhura në terrenin e jetësimit të politikave publike:

“A bëhet vërtetë gjithçka duhet që gjenerata jonë e re, ajo e fëmijëve tanë, të jetë nesër mishërimi i përkatësisë europiane të Shqipërisë?

A është kuptuar vërtet me gjithsej se sfidat e fëmijëve tanë nuk do jenë të njëjta me sfidat që përballojmë ne dhe, për rrjedhojë, tejkalimi i modelit tonë është domosdoshmëri, por njëkohësisht një kërcënim i madh që vjen bashkë me të?

Dhe pastaj, a mjafton të pasurit e vetëdijes së ndryshimit dhe vullnetit për të përqafuar realitetin e ri, për t’ia dalë tejkalimit, pa rënë pre e kërcënimit të humbjes së vlerave e të normave, që, brez pas brezi, erdhën deri te ne si guidë morale e jetës sonë?”

Le të marrim për një çast ndryshimin epokal që ka sjellë në jetën e fëmijëve interneti dhe platformat e tij.

Aktualisht, numri i përdoruesve të internetit në Shqipëri e ka kaluar mesataren botërore dhe po rritet vijimësisht. Këtë na e thonë numrat, por numrat nuk na thonë se cila është jeta në internet e fëmijëve dhe siguria e tyre në të. Mosha e fëmijëve që fillojnë të përdorin internetin vjen duke u ulur. Këtë thonë numrat, por ne nuk e dimë sesi mendja e një fëmije të vogël e interpreton dhe e absorbon ushqimin e ekranit, pa asnjë standard të garantuar sigurie në duart e tij.

Prindërit janë ende rojet e pazëvendësueshëm të fëmijëve nga kërcënimet e frikshme të internetit, por 30% e tyre nuk dinë të përdorin internetin dhe shumë të tjerë, të mbingarkuar me problemet e një jete aspak të lehtë për ta, preferojnë t’ia lënë internetit të bëjë rojën e fëmijëve.

Një fëmijë përdorues i internetit në Shqipëri shpenzon mesatarisht 2,9 orë online në ditët e javës dhe 3,3 orë në ditën e tij të pushimit. Shumica e fëmijëve e aksesojnë internetin nga ekranet e telefonave dhe kjo është kaq e lehtë dhe kaq atraktive, sa rrezikon që e vetmja mëhallë që do të njohin fëmijët të jetë mëhalla e internetit, të vetmit shokë të tyre rrezikojnë të jenë miqtë imagjinarë digjitalë, heronjtë më domethënës të jenë ata që nuk ekzistojnë dhe gjuha e tyre numër një e komunikimit të jetë zhargoni i shkurtimeve dhe i shenjave në ekran.

Kam përshtypjen se, në këto kushte, oferta tradicionale, e cila edhe ajo ka mangësitë e veta të mëdha, nuk mjafton. Shkolla, kopshte, çerdhe, kënde lojërash janë bërë shumë, po jo vetëm duhen bërë shumë akoma, po edhe sikur të mbaronte nevoja për to, mendoj se prapëseprapë jemi shumë të zbuluar në raport me sfidën që po flasim.

Prandaj, të dashura mikesha socialiste, ju lutem angazhohuni me fuqinë e përfaqësimit tuaj në kuvend, në qeveri, këshilla bashkiakë apo hapësira të tjera ndërvepruese ku zëri juaj dëgjohet, për një ofertë të re për fëmijët e këtij vendi.

Është e qartë pse duhet të kemi një Teatër të ri të Operës dhe Baletit, një Teatër të ri Kombëtar apo të tjera salla si teatri ArtTurbina, në të tjera zona të vendit, të gjitha këto me standarde europiane. Po a mundet të jemi të qeta ne, nënat e këtij vendi, kur i vetmi teatër fëmijësh është ende Teatri i Kukullave, një hije e ftohtë e atij që ishte kur Tirana ishte thuajse pesëfish më e vogël se Tirana e sotme?! Ose pse dhe si ka mundësi që, falë fondeve publike, të mbijetojë një mega show televiziv në kohën e konkurrencës së lirë si Festivali i Këngës në Radiotelevizion, ndërkohë që më i madhi duhet të ishte një festival kombëtar dhe, pse jo, mbarëshqiptar i fëmijëve?

I bukur shumë është stadiumi i ri kombëtar dhe bukur janë bërë dhe të gjitha  stadiumet e tjera, që, me siguri, janë më pak sesa ata që i duhen Shqipërisë që ka nevojë për futboll. Po a ma thotë dot njeri, sepse Edi asnjëherë nuk më ka dhënë një argument bindës, pse nuk kemi sot në vend një sistem funksional të klasave sportive për fëmijët në shkolla?

Më në fund, dëgjova që Kopshti Zoologjik i Tiranës do të ndërtohet sipas standardeve europiane. Të shpresojmë që, këtë herë, do të ndërtohet, por pse mua nuk më duket e pamundur që të kemi kopshte të bukura kafshësh të buta edhe në zona të tjera të vendit, ku fëmijët të mund të kalojnë kohë dhe të mësojnë për to.

Bukur është punuar për të zgjeruar rrjetin e shkollave qendra komunitare, por a nuk duhet t’iu ofrojmë fëmijëve hapësira të reja takimesh mes shkollave, përmes konkurseve që stimulojnë talentet e tyre?

Ndarja e re territoriale, shprehur si ide dhe nevojë qysh në fillim të vitit 2002 dhe e finalizuar në ligj më shumë sesa një dekadë më vonë, në thelb ka synuar krijimin e hapësirave për modele të avancuara të zhvillimit dhe të shërbimit, përtej gardheve dhe sinorëve të vjetër. Vizioni për këto hapësira të reja duhet të mundësojë që nevojat e fëmijëve për argëtim të mos mbyllen brenda një oferte minimaliste të lodrave nëpër lagje apo mureve të qendrave tregtare; edhe këto të pakta në numër.

Vetëm një vizion i tillë do të mundë që lista e atraksioneve turistike të shkojë përtej trashëgimive kulturore, trashëgimisë historike, detit dhe malit, ku fëmijët janë zgjatim i të rriturve, po jo arsyeja e parë pse të rriturit tërhiqen drejt këtyre atraksioneve dhe vetëm një vizion i tillë do t’i jepte argëtimit dhe edukimit artistik të fëmijëve një përkatësi institucionale.

Në nëntorin e 105-të të pavarësisë, Zaho kishte mbushur 3 vjeç. Në kopshtin e tij po përgatiteshin për të festuar ditën e Pavarësisë. Në mbrëmje, më vjen një mesazh nga mësuese Elda, që ishte dhe administratore e kopshtit së bashku me bashkëshortin e saj, qytetar amerikan. “Zaho më ka surprizuar dhe më ka prekur sot”, shkruante.

Të nesërmen në mëngjes po më priste dhe më tregoi: “Dje po pyesnim fëmijët se përse e duam Shqipërinë dhe kur radha i erdhi Zahos, ai u përgjigj shumë thjeshtë: ‘Se ajo është shtëpia jonë’. M’u kujtua vetja ime, - vijoi. Ika në Amerikë e vogël dhe, pas shumë viteve, u ktheva me Davidin, të fejuarin tim, pasi babai ishte sëmurë dhe ishte shtruar në spital. Ishte fillimi i viteve 2000. Dilnim në rrugë, kishte plehra dhe gropa. Më vinte turp nga i fejuari dhe i thoja, ‘më vjen keq’. Hipja në autobus, njerëzit shtyheshin, ktheja përsëri kokën nga ai dhe i thoja, ‘më vjen keq’. Shkoja në spital, ku asgjë nuk funksiononte siç duhej, pëshpërisja, ‘më vjen keq’. Hynim në shtëpi, iknin dritat dhe mua përsëri më vinte keq. Nuk e di sa herë, më tha Elda, e kam përsëritur fjalën ‘më vjen keq’ ato ditë. Ditën që u larguam, në momentin që do të fillonte fluturimi për të kaluar oqeanin, bashkëshorti im, i fejuari im, nxori një letër dhe më tha: ‘Ke thënë kaq shumë herë ‘më vjen keq’ gjatë këtyre ditëve. Të lutem, shkruaj 10 arsye pse ti e do vendin tënd’. Në mbi 10 orët e mia të fluturimit, me vështirësi i bëra dhjetë arsye, por asnjëra prej tyre nuk ishte sa për 10. Ndaj, u preka. Kishte qenë aq e thjeshtë dhe aq domethënëse: ‘Po, e dua Shqipërinë, se ajo është shtëpia ime".

Me një falënderim të madh që më dhatë mundësinë të ndaj me ju dhe, përmes jush, me të gjithë familjen tuaj të madhe socialiste këtë fjalë timen dhe, po ashtu, duke ju falënderuar për vëmendjen që më dhatë bujarisht, lejomëni ta mbyll duke ju thënë:


O e bëni ju, gratë socialiste të kësaj kohe kaq të favorshme për gruan në politikë atë që politika duhet të bëjë për një ofertë të re për fëmijët, ose nuk e bën dot askush.

O e bën Partia Socialiste sot këtë vend shtëpi të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine e kategorie sociale, o askush tjetër s’ka për ta bërë dot për kushedi sesa kohë.

Uroj ta bëni dhe të merrni bekimin e historisë së të vetmes Europë që ne kemi brenda nesh, historisë së fëmijëve tanë.

U bëftë më e mira për ju, familjet tuaja, fëmijët e këtij vendi, që është shtëpia e tyre.

Falemnderit.

Kthehu në galeri
PUBLIK