PROFESIONAL

Të vërtetat që mbartim - nëntor 2024

 

Ky libër vjen në gjuhën shqipe në të njëjtën kohë që autorja e tij është njëra prej dy kandidatëve rivalë në zgjedhjet më të rëndësishme dhe më të ndjekura të botës. Jo këtë vit, po që kur zgjedhjet kanë hyrë në faqet e gazetave dhe kanalet e radiove, më pas të televizioneve dhe së fundmi edhe të rrjeteve sociale, zgjedhjet për njeriun që një herë në katër vjet hyn në Shtëpinë e Bardhë, kanë qenë qendrore në vëmendjen e kujtdo me akses në informacion. Zgjedhjet e këtij viti e kanë pushtuar më shumë se çdo herë tjetër qendrën e vëmendjes, jo thjesht sepse kanë mbulimin më të madh ndonjëherë, falë shtrirjes së mëtejshme të aksesit të njerëzimit në informacion gjatë katër viteve të fundit, por edhe sepse këto zgjedhje vijnë në një kohë kur bota dhe njerëzit po përjetojnë trazime, dilema e pasiguri dramatike të pangjashme me asgjë të përjetuar më parë qysh prej Luftës së Dytë Botërore.

Jo rastësisht për Zyrën Ovale, ku ndodhen karrigia dhe tryeza e punës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përdoret shprehja “zyra më e rëndësishme e botës”. Edhe për ne shqiptarët, ajo zyrë është kthyer prej 34 vjetësh në një pikë referimi të pritshmërive tona nga politika, jo vetëm për zhvillimet jashtë nesh në rajon dhe botë, por edhe për zhvillimet këtu, në Shqipëri. Por për ne, mbase ndryshe nga plot të tjerë nëpër botë, zgjedhja e njeriut që do të hyjë në Zyrën Ovale nuk lidhet në thelb me emrin e personit në kuptimin e kahjes politike atje. Sepse për ne, në këta 34 vjet, Amerika është kthyer nga “Djalli” që donte të na hante kokën, në “Engjëllin” mbrojtës të rrugës sonë jo të lehtë, për të ndërtuar një shtet demokratik të së drejtës.

Në dhjetorin e vitit 1990, ne shqiptarët donim me të gjithë forcën e shpirtit që Shqipëria të ishte si gjithë Europa. E Lirë dhe Demokratike. Nuk e dinim asokohe se çfarë ishte demokracia dhe ku ndryshonte ajo me lirinë apo liria me të. Për ne, demokracia dhe liria ishin e njëjta gjë. Por as vetë lirinë nuk e dallonim nga çlirimi prej diktaturës dhe për ne mjaftonte e dyta që të kishim të parën. Po se ç’mund të bënim me të, si mund ta jetonim atë, nga se rrezikohej ajo edhe në mungesë të diktaturës apo se ç’do të na duhej të bënim kur liria kërcënohej në emër të vetë emrit të saj, ne as që e kishim idenë. Sepse sfida jonë ekzistenciale ishte çlirimi, jo liria dhe demokracia. Këtë e dinte si diellin e mëngjesit i gjithë populli, kur doli në rrugë atë dhjetor dhe u çlirua nga diktatura.

Këto 34 vite të përpjeta e të tatëpjeta përpjekjesh të paimagjinueshme për askënd nga ne kur nisi ky numërim vitesh, kemi kuptuar që të jetuarit në demokraci është sfidë e përditshme. Një vrapim me pengesa ku shtigjet, kthesat e kurthet e vjetra dhe të reja i bëjnë vlerat, arritjet dhe ëndrrat në çdo nivel, të ndihen vazhdimisht të provokuara dhe të rrezikuara.

Ky libër, “Të vërteta që mbartim”, përmes historish të jetuara njerëzore, pohon me forcën e shembujve se të drejtat universale nuk janë ende sot një realitet universal as në vatrën qendrore të demokracisë botërore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në faqet e tij rrëfehet se të drejtat dhe liritë e fituara nga brezat, që ne i gëzojmë së bashku, bartin përmes nesh amanetin për t’i ruajtur nga kërcënimet e një epoke egoizmi dhe lakmie. Këto kërcënime janë reale dhe me shumë gjasa do të vazhdojnë të bëhen edhe më të pranishme për ata që do t’i trashëgojnë fitoret e shoqërive demokratike. Autorja tregon pasionin e saj për të qenë e dobishme për individët e komuniteteve në vështirësi, duke ndërthurur fuqinë e së drejtës së përfaqësimit dhe vendimmarrjes me ndjeshmërinë njerëzore për më të dobëtit, të cilët i ka ndeshur në burgje, në rrugë, në periferi, nëpër kufijtë e Amerikës në qendrat e grumbullimit apo në ato të rehabilitimit të grave të trafikuara, të minorenëve të ndarë nga prindërit e të dënuar për emigracion ilegal, të viktimave të drogës e të dhunës, të të dënuarve pas heqjes së prangave. Ajo beson se komunikimi me më të dobëtit është një burim i shtuar fuqie për fjalën, vullnetin, sytë e mendjes për ta kuptuar botën dhe doemos, për qëllimin e angazhimit në publik.

“Të vërtetat që mbartim” vjen te ne nga një prokurore dhe senatore në rolin e dëshmitares. Kamala Harris ka grumbulluar fakte dhe prova që hedhin dritë në rastet e drejtësisë së munguar për individin, grupin dhe komunitetin. Një prokurore e vendosur në pozicionin e avokates, ka marrë në mbrojtje në libër të gjithë ata që origjina, vështirësitë ekonomike, rrethanat gjeografike dhe historike, gjinia, i bën humbës të mëdhenj në jetën e demokracisë më të zhvilluar të planetit. I kthen në viktima duke i hedhur në prehrin e aventurës, diskriminimit dhe padrejtësisë.

Kjo prokurore e kthyer në senatore, që e sheh fuqinë në anën e viktimës, me vetëdijen se një krim kundër secilit është një krim kundër shoqërisë, e sheh edhe punën e prokurorëve si fuqi për zërat që nuk dëgjohen, si mundësi për të kuptuar arsyet e krimit dhe jo vetëm pasojën e tij. Në themel të librit qëndrojnë të drejtat dhe drejtësia si thirrje e brendshme natyrale dhe si nocione të pandashme.

Ky lexim është një mundësi më vete, pasi në këtë libër flet për veten një prokurore e diplomuar në Universitetin e Hovardit, ku “hyje siç ishe dhe nga ku dilje si personi që aspiroje të bëheshe”. Ajo zgjodhi të refuzonte propozimin për të marrë postin e Prokurores së Përgjithshme të Amerikës, pasi, siç rrëfen autorja në libër, ajo kishte një punë që e dashuronte dhe ende punë që prisnin të kryheshin prej saj. Kush e lexon librin, prokurorin do ta donte si zonjën në këtë libër. Për ne shqiptarët, liria e njeriut është arritja e të gjitha arritjeve në histori, e cila na bën pjesë të asaj pjese të botës së sotme, ku përtej sfidave e krizave të demokracisë, njerëzit janë të lirë dhe bashkëjetojnë në një rend ligjor që e garanton lirinë e tyre. Por na bën njëkohësisht edhe përgjegjës për të. I shkruar pikërisht me sytë e mendjes te liria, “Të vërtetat që mbartim” është një libër që i jep kohës së lirë mundësi për të reflektuar për lirinë në këtë kohë, duke kaluar përmes jetës dhe karrierës së një gruaje frymëzuese.

 

 

Kthehu në galeri
PUBLIK