PROFESIONAL

Tik - taket e një qyteti - Event me Komunitetin Autokton Tiranas - qershor 2013

Edi më pyeti para 2-3 ditësh dhe më tha: “Linda ka një takim me tironsit. A ke dëshirë të vish ti?” Ju e keni parë që unë nuk marr pjesë në të gjitha takimet që zhvillon Edi dhe, me thënë të drejtën, më shkoi menjëherë mendja tek oborri i shtëpisë së fëmijërisë sime me avlli qerpiçi, me lule trëndafilash, karafilash, me aromën e selfijonit dhe hidërshasë, me bukurinë e luleve të borës dhe  të mëllagës dhe më dukej sikur ishim ulur nën pemët e kajsisë, kumbullave dhe hurmave. Gratë e shtëpisë rrotulloheshin rreth miqve, duke i shërbyer ujë brisk nga pusi te hajati i shtëpisë dhe iu shërbenin edhe shurup trëndafili, që gjyshja ime e bënte shumë. I shërbenin dhe reçel me frutat dhe petalet e pemëve që gjendeshin në oborrin e shtëpisë. Ende sot, ai oborr është këtu me mua dhe unë dua shumë të besoj që, bashkë me atë oborr, janë dhe gjyshërit e mi – gjyshi dhe “nona” siç e thërrisnim ne fëmijët. Megjithëse kanë shumë vite që janë larguar nga jeta, kujtimi i tyre është këshilla më e mirë për mua sot.

 

Ne u lindëm këtu, u rritëm këtu, mësuam në fillim mësimet e shtëpisë dhe pastaj mësimet e shkollës. Kaluam vite vështirësish, punësh, hidhërimesh dhe gëzimesh. Provuam shumë lindje në shtëpitë tona dhe shumë ikje. Këtu në Tiranë, mu në kufirin e një kohe tjetër, u lind dhe Rea dhe Gregu. Tirana ku u rrit Gregu dhe Rea nuk ishte Tirana që u rritëm ne, ishte ndryshe. Ashtu siç është edhe më ndryshe Tirana për fëmijët që linden sot.

 

Nuk do të kisha ardhur sot këtu, midis jush, në qoftë se nuk do ta shihja këtë si një rast për t’u takuar me tiransit, të cilët ndajnë të njëjtin mendim, që duan një Tiranë dhe një vend ku mos treten për fare kultura qytetare e oborreve të bashkëbisedimit dhe të bashkëjetesës qytetare të urtë. Nuk do kisha marrë fjalën si njëra prej tiranseve, nëse nuk do të ndjeja detyrimin për të nderuar gjyshërit e mi për gjithçka më dhanë dhe më bënë të kuptoj me mënyrën e vjetër tiranse se çfarë do të thotë të jesh njeri dhe se çfarë do të thotë të jesh qytetar.

 

Sot, dua të flas shumë edhe për ta dhe dua shumë të besoj dhe kam shumë dëshirë brenda vetes të mendoj që ata janë këtu midis jush duke më dëgjuar, ashtu siç unë dëgjova mbesën time shumë pak ditë më parë duke i rënë pianos në konkursin e saj të fundvitit të muzikës, që ajo merr gjatë vitit dhe, ashtu siç u ndjeva unë shumë krenare për mbesën time, shpresoj shumë që ata të ndihen krenarë për mua sot. 

 

Mënyra e jetesës dhe e sjelljes së familjes së vjetër tiranase ishte natyrshëm busulla që drejtonte frymën e qetë të bashkëjetesës në qytet. Në krah të shtëpisë sonë kishte një familje përmetare, në krahun tjetër, një familje nga Leskoviku, përballë ishin familjet nga Dibra, diku më tej nënë Aliseja nga Shkodra, një çikë më tutje ishin Vesht, Gugallt dhe Durisht, të cilët janë familje të vjetra dhe me shumë tradita tiranase. Të gjithë fqinj të mirë, të urtë, punëtorë dhe fjalëmbël, që i ndanin së bashku gëzimet dhe hidhërimet e tyre, që shkëmbenin vlerat dhe kulturën e origjinës si pasurinë dhe investimin më të madh për veten, komshillëkun dhe brezat.

 

Tironsit e vjetër thoshin “para se të blesh shtëpinë, blej komshiun”. Prindërit dhe gjyshërit na mësonin që fëmijët e fqinjëve i kishim motra dhe vëllezër dhe njerzillëku ishte vlera më e paprekshme e njeriut dhe te njeriu. Kështu u rritën prindërit tanë, kështu u rritëm edhe ne. Tiransit e panë jo si fillesën e një skenari lufte, po si bulevardin e një paqeje të qëndrueshme detyrimin për të bashkëjetuar me të tjerët kur Tirana nuk ishte më vetëm e tyrja, por ishte kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti i gjithë shqiptarëve. Dhe është fakt, tiransit, si tërësi autoktone, nuk e deformuan qytetarinë e tyre as kur deformimet dhunuan hapësirën dhe bashkëjetesën qytetare. Ata u përfshinë pothuajse si një komunitet i tërë në zhvillimet demokratike, por me protagonizmin e tyre të urtë kolektiv, pa u shquar në asnjë rast si protagonistë të shkeljes së oborrit të tjetrit, të dhunimit të pronës dhe të pasurisë së shtetit, të rregullave të të jetuarit në ligjësinë e vjetër të mosprekjes së asaj që s’është e jotja dhe respektit për atë që është ndryshe nga ty.

 

Tiransit i kanë ofruar në dekada qytetit dhe shoqërisë talentin dhe përkushtimin në profesionin e tyre. Me dhjetëra familje tiranase kanë qenë të njohura për talentin dhe  punën artizanale e zejtare, në mjaft raste, të trashëguara brez pas brezi. Të gjithë ne këtu i mbajmë mend ustallarët e mëdhenj të qytetit të Tiranës. Asnjë usta i madh i kohëve të shkuara nuk do na i falte sot sesi është katandisur në Tiranë arsimi dhe sesi ne, në Tiranë, e kemi lënë rininë pa kurrfarë zanati dhe të kërcënuar seriozisht për të ardhmen. Nuk do të na i falnin situatën në arsim as shumë mësues dhe mësuese tiranase, të cilët me shumë devocion kanë përgatitur brezin e ardhshëm dhe kanë investuar te brezi i ardhshëm. Nuk do na i falnin as profesorë të shquar të Universitetit të Tiranës atë sesi është katandisur shkolla e lartë sot në Tiranë. Dhe kur? Sot, kur mundësitë janë shumë më të mëdha se botën e kemi tamam mbrapa portës së oborrit të shtëpisë. Tiransit i kanë ofruar mjekësisë shqiptare emra të mëdhenj, të paharruar, që brezi i prindërve tanë i kujtojnë me respekt dhe nostalgji për dy gjëra: për humanizmin dhe për devotshmërinë ndaj gjithë pacientëve të tyre dhe qytetarëve të Tiranës. Të gjithë ata merituan dhe morën vetëm një çmim pa letra, pa medalje, çmimin e mirënjohjes së thellë qytetare të të gjithëve atyre që iu shërbyen gjatë karrierës së tyre. Edhe më shumë sot, këta mjekë të devotshëm, kur shëndetësinë e kemi të katandisur në gjendje katastrofike, nuk do të na i falnin. Nuk do të na i falnin mjekët e mëdhenj të përkushtuar të qytetit të Tiranës ankthin që provojnë mijëra qytetarë sepse nuk kanë mundësi të dignostikohen, sepse nuk kanë mundësi që të blejnë ilaçe, sepse nuk kanë mundësi që të përballen dhe të durojnë më mungesën e humanizmit në masë në sektorin shëndetësor. Dhe kur? Sot, që botën e madhe e kemi prapa portës dhe mjafton t’i hapim derën që të shohim të gjitha mundësitë që ajo ofron për ne.

 

Tiransit janë respektuesit më fanatikë të ligjit dhe të shtetit. Të tillë kanë qenë të parët tanë, të tillë janë prindërit tanë, të tillë jemi dhe ne. Dhe aq e vërtetë është kjo, sa, rëndom, këtë respekt ua kanë marrë për frikë dhe dobësi, duke abuzuar jo pak, sidomos në vite, kur pronat e tyre shteti në 20 vite i ka lënë pa asnjë mbrojtje. Të prirur për t’i trajtuar gjërat sipas ligjit dhe sipas rregullit dhe me shumë tolerancë, pothuaj të gjitha familjet e vjetra tiranse apo, njëlloj si ata, familjet e qytetarëve që kanë ardhur shumë herët në Tiranë, sot gjenden të zhgënjyer duke u rropatur dyerve të gjyqeve, për të marrë pronat e tyre duke u ndjerë çdo ditë jabanxhinj në qytetin dhe në vendin e vet, pa asnjë zgjidhje, po jo vetëm pa asnjë zgjidhje, por pa pasur mundësi të shohin një fije dritë në fund të tunelit. Të parët tanë, ata që me shumë mund, djersë dhe ndershmëri e krijuan pronën, do të ishin shumë krenarë për ne, pasardhësit e tyre, që respektojmë ligjin dhe shtetin  por nuk do të na i falnin kurrë që të rrinim duarkryq përpara kujt, në emër të shtetit, shkel ligjin, dhunon të drejtën e pronës dhe ngatërron çdo mot e më keq çështjen e pronave në këtë vend. Dhe kur? Sot, kur sfida jonë e madhe është që oborrin e vogël që quhet Shqipëri ta bëjmë pjesë të një oborri shumë të madh, që është oborri i familjes europiane dhe kur të mos rrish duarkryq është fare e thjeshtë, do të thotë, të përdorësh votën tënde, për të mos u bërë palë me të ligën që i ka hyrë sot shumë keq shtetit dhe, përmes shtetit, gjithë shoqërisë.

Gjyshja ime thoshte: “Masi ti nigjosh fjalën tjetrit, vreji punën, të keqen nona”.

Dhe puna e secilit sot është që, “masi ka nigju fjalën, të vrejë punën” e vet si qytetar, duke votuar që punët në oborrin tonë të shkojnë ndryshe. Tirana s’do jetë më kurrë ajo që ishte. Shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe për keq. Por siç mund të bëhen më mirë gjërat janë keq, mund të bëhen më keq edhe gjërat që janë mirë.

E ja pse sot s’desha të jem krenare thjesht në krah të Edit dhe shumë mirënjohëse për gjithçka ai ka bërë për Tiranën, po desha të flas si njëra nga ju, për të trokitur me fjalën time në portën e oborreve të tironsve, për t’ju thënë se është koha të vreni punën me votë! Për Tiranën. Për sigurinë e jetës, punës dhe pronës. Për fëmijët tanë, që duhet të trashëgojnë një vend më të mirë. Për Shqipërinë që sytë i ka gjithmonë nga Tirana.

Faleminderit.

 

 

 

 

 

Kthehu në galeri
PUBLIK