PROFILI
PROFILI
AKTIVITETI AKADEMIK
1987
Diplomohet shkëlqyeshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Puna e parë ishte në Kombinatin e Tekstileve, Tiranë, një ndërmarrje tipike socialiste, që shënoi dhe kontaktin e parë me praktikën e ekonomisë së ngurtësuar në plane të centralizuara. Paralelisht, angazhohet si pedagoge në Universitetin e Tiranës për lëndën “Organizimi dhe Planifikimi i Ndërmarrjeve Industriale”.
1990
Me pluralizmin politik nis edhe përmbyllja e procesit të rrënimit drejt falimentit të ndërmarrjeve shtetërore dhe shfaqet për herë të parë në horizontin e shoqërisë shqiptare të pasluftës kërcënimi i papunësisë masive.
1992
Linda largohet nga Shqipëria drejt Universitetit të Evropës Qendrore në Pragë, për të ndjekur studimet e nivelit master në ekonomi si ballafaqim i parë me dilemat e mëdha të kohës, si mundësi për të kuptuar që sfida ku gjendeshim ishte përtej asaj që imagjinohej dhe si përpjekje për t’u orientuar në një botë të re.
1994
I kthehet angazhimit si lektore me kohë të pjesshme e Financave Ndërkombëtare në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë dhe disa vite më pas si lektore e Politikave Publike dhe Menaxhimit të Riskut Publik në Universitetin Europian të Tiranës. Specializohet në fushën e politikave publike, tregut të punës dhe zhvillimit të sektorit privat. Bashkëpunon në projekte të rëndësishme ndërkombëtare.
1996
Merr gradën shkencore “Doktore e Shkencave Ekonomike” me punimin Reforma Ekonomike dhe Privatizimi Masiv në Shqipëri.
ADMINISTRATA PUBLIKE
1993
Rikthehet në Shqipëri me titullin Master në Ekonomi dhe me ambicien për t'i shërbyer shtetit duke nisur punë në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit. Terma të panjohura më parë, si shoqëritë anonime, privatizimi masiv, aksionet, fondet e investimeve, bursat etj., ishin kryefjalë e kontributit të saj në përpjekjet për të vendosur sistemin e ri ekonomik në Shqipëri.
1996
Kontribuon për tre vite si Anëtare e Bordit Mbikqyrës të Qendrës për Regjistrimin e Aksioneve, institucion që i parapriu çeljes më pas së Bursës së Tiranës.
1997
Merr detyrën e Drejtores së Përgjithshme te Agjencisë Kombëtare të Privatizimit nën varësinë e Këshillit të Ministrave, në momentin kur Shqipëria po kalonte pasojat e rënda të shembjes së një sistemi piramidash financiare, që e çuan vendin në një rrënim të dytë.
2015
Kontribuon për tre vite si Anëtare e Këshillit Drejtues të Bankës Amerikane të Investimeve.
KËRKIMI SHKENCOR & SHOQËRIA CIVILE
1999
Në një Shqipëri të gjunjëzuar ekonomikisht nga krizat, por jo të dorëzuar përballë të ardhmes së dëshiruar, merr nismën për bashkëthemelimin e një ndër institucioneve të para kërkimore të pavarura në Shqipëri, Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor, për t’u paraprirë ballafaqimeve të kohës dhe për të nxitur e trajtuar konstruktivisht debatet për ekonominë, qeverisjen, zhvillimin njerëzor etj.
2001
Një kampione e vullnetarizmit për çështje që lidhen me të drejtat e njeriut dhe shoqërinë civile në Shqipëri, Linda është një nga bashkëthemelueset e Aleancës Shqiptare të Fëmijëve, advokuese e Fushatës "Thuaj PO për fëmijët", që është pararendëse e Lëvizjes Botërore për Fëmijët, 2002.
2002
Kontribuese e akredituar në Seancat e Komitetit Përgatitor për Sesionin Special të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Fëmijët.
2005
Kontribuon për pesë vite si Anëtare dhe, më tej, si Kryetare e Bordit Mbikëqyrës të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur për Shqipërinë.
2021
Autore, bashkautore e kontribuese e dhjetëra studimeve, raporteve, artikujve për ekonominë, mirëqeverisjen, politikat publike, zhvillimin njerëzor, qeverisjen lokale të cilat, përpos interesit akademik, janë nxitur nga ndjeshmëria ndaj grupeve më të ekspozuara të shoqërisë si gratë, fëmijët, shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuar apo minoritetet.